Vlora 5 ditë pa ujë, riparohet defekti i tubacionit të Ujësjellësit! Nis furnizimi në disa zona

Është zgjidhur pas 5 ditësh problemi në tubacionin kryesor që furnizon me ujë qytetin e Vlorës.

Me mbërritjen e pajisjeve hidraulike nga Turqia, drejtoria e Ujësjellësit të qytetit bregdetar realizoi montimin e tubit kryesor. Prej orës 04:00 të mëngjesit ka nisur mbushja e depove me ujë.

Autoritetet bëjnë me dije se furnizimi po kryhet ende me kapacitet të reduktuar, pasi po testohen pajisjet e reja të instaluara.

Gjatë pasdites pritet normalizimi i plotë i furnizimit.

Drejtori i Ujësjellësit Vlorë Ermal Murati ka deklaruar se në orët në vijim situata do të normalizohet.

“Po furnizohet një pjesë e qytetit ndërsa depot janë duke marrë ujë teksa në orët e pasdites i gjithë qyteti do t’i kthehet normalitetit. Ishte një dëmtim shumë i rëndë , por tashmë mund të themi që jemi në fund të avarisë fatmirësisht.

Pati një angazhim maksimal nga të gjithë, AKUK, bashkia dhe qeveria shqiptare. Ndjesë qytetarëve për problematikën. Natyrisht që më pas do të ketë një vlerësim për të gjithë këtë situatë”, tha Ermal Murati.

Kujtojmë se kjo situatë shkaktoi zemërim mes qytetarëve të Vlorës, të cilët një ditë më parë protestuan para Bashkisë dhe në disa raste bllokuan rrugët, duke kërkuar furnizim me ujë në banesat e tyre.