Policia ka publikuar pamjet e grabitjes së një pike të Western Union, e cila shërbente edhe si “exchange”.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të shtunë në Tiranë, në zonën e Astirit. Video e plotë e grabitjes është publikuar në rrjetet sociale, dhe tregon gjithë ngjarjen e cila ka zgjatur 1 minutë e 30 sekonda.
Autori hyn në dyqan dhe futet menjëherë në dhomën ku gjenden punonjëset dhe paratë. Vajzat në fillim nuk e kuptojnë por pastaj tremben kur ai u drejton armën.
Autori mban një maskë anti-covid në fytyrë, dhe nën kërcënim të punonjëseve arrin të marrë paratë nga kasaforta dhe i mban në bluzë. Deri tani raportohet se ai ka vjedhur rreth 30 mijë euro dhe më pas është larguar me biçikletë.
Policia e Shtetit ofron 5,000 euro shpërblim për këdo që jep informacion për autorin e kësaj grabitje me armë në zonën e Unazës së re.