VIDEO/ Mitingu në Athinë, kryebashkiaku i Librazhdit nxjerr zbuluar Ramën: Mbi 7 mijë veta erdhën nga Shqipëria

Takimi i kryeministrit Edi Rama në Athinë ka qenë kryefjalë e ditëve të fundit, për shkak se një pjesë e madhe e të pranishmëve në sallë kishin shkuar nga Shqipëria.

Pak ditë më parë, emisioni investigativ “Piranjat” publikoi pamjet se si dhjetëra autobusë u nisën drejt Athinës, për të mbushur sallën ku Rama do të zhvillonte takimin me shqiptarët në Athinë.

Por, sot është publikuar një tjetër video ku protagonist është kryetari i bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, i cili ndoshta “harron” që ndodhet para kamerave dhe i tregon gazetarit se janë mbi 7 mijë vetë që kanë udhëtuar nga Shqipëria drejt Greqisë.

Nuk dihet nëse Dishës i “shpëtoi” kjo shifër, dhe se me çfarë “pasojash” do të përballet ai më pas.

Rikujtojmë se pre e një video të fshehtë ra drejtori i Teatrit të Bylisit, i cili e pranoi se kishte shkuar me urdhër në Athinë.

Pas publikimit të videos, ai u detyrua të jepte dorëheqjen.

Sakaq, ditën e hënë kreu i grupit parlamentar të PS Bledi Çuçi në një takim me deputetët, iu dha urdhër këtyre të fundit që të mbledhin sa më shumë njerëz për takimet e Ramës, në Milano dhe Londër.