Vetingu shkarkoi Alfred Ballën, kryetarja e re e KLP-së zgjidhet Mirela Bogdani, kandidatja e vetme në garë

Mirela Bogdani është zgjedhur kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me 10 vota pro. Bogdani ishte kandidatja e vetme për të marrin drejtimin e këtij institucioni të drejtësisë.

Teksa prezantoi platformën para anëtarëve të KLP-së, Bogdani tregoi ambicien për të rritur kapacitetet logjistike, për të reformuar sistemin gjyqësor dhe rritur bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

“Synoj të reformoj sistemin gjyqësor. Dëshiroj të përmbush të gjitha kushtet që ka vendosur BE, me qëllim që drejtësia në vend të bëjë përpara. Synoj të rris edhe nivelin e kapaciteteve njerëzore, ku do të merren parasysh kriteret e meritokracisë dhe standardeve ndërkombëtare, ashtu edhe t’i jap rëndësi statusit të nëpunësit civil. Një pikë tjetër është edhe etika, që të ketë jetësim tjetër standardi”– tha ajo pora anëtarëve të KLP-së.

Mirela Bogdani është zgjedhur si anëtare e KLP-së në vitin 2022 nga trupa e pedagogëve të drejtësisë.

Rikujtojmë se më datë 27 maj, Këshilli i Lartë Prokurorisë miratoi me 9 vota pro mbarimin e mandatit të Alfred Ballës pas vendimit të dhënë nga KPA, për përjashtimin e tij për 15 vite nga sistemi i drejtësisë.