Anija Libra e Marinës është nisur nga Italia drejt Shqipërisë për të sjellë grupin e parë të emigrantëve në qendrat e ngritura në Shqipëri për t’iu nënshtruar procedurave të përshpejtuara kufitare.
Në bordin e mbushur vetëm me meshkuj, shkruan La Repubblica u krye një kontroll fillestar i personave që do të transferoheshin, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kërkesat e përcaktuara në protokoll: me origjinë nga vende të sigurta, meshkuj, jo të cenueshëm. Në krye të nismës është Ministria e Brendshme italiane.
Gratë, të miturit, të torturuarit dhe të sëmurët do të dërgohen në Lampeduza dhe do të vendosen në qarkun normal të pritjes duke pritur që kërkesa e tyre për azil të shqyrtohet nga komisionet territoriale.
Çfarë ndodh në Shqipëri
Sapo anija të mbërrijë në portin e Shëngjinit, në Shqipërinë veriore pranë kufirit me Malin e Zi, emigrantët e mbetur do të merren dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të dytë më të thelluar. Më pas ata do të transferohen në Gjader, një ish-kamp i Forcave Ajrore Shqiptare rreth njëzet kilometra në brendësi, ku janë tre struktura të dorëzuara vetëm më 9 tetor në Ministrinë e Brendshme italiane për testim: një qendër e parashikuar të ketë 880 vende, (nga të cilat vetëm 400 janë gati deri më sot, më pak se gjysma), një qendër shëndetësore me 144 vende dhe një burg i vogël me 20 vende.
Pikërisht këtu, në këtë mega strukturë, migrantët që i nënshtrohen procedurave të përshpejtuara kufitare do të ndalohen me një urdhër ndalimi të nënshkruar nga komisioneri i policisë së Romës, i cili duhet të vërtetohet brenda 48 orëve nga gjyqtarët e seksionit të imigracionit të Romës në pritje, brenda katër javëve, merret një vendim për refuzimin e mundshëm të kërkesave të tyre për azil, i cili do t’i detyronte ata të riatdhesoheshin.
Vendimi pengues i Gjykatës evropiane
Pengesa ndaj të cilës rrezikon të përplaset protokolli në orët në vijim është vendimi i dhënë më 4 tetor nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Ajo që thonë gjyqtarët e Luksemburgut është se një vend, për t’u përcaktuar si i sigurt, nuk duhet të përdorë “persekutim, torturë apo trajtim tjetër çnjerëzor” në asnjë fushë dhe për asnjë person. Por 15 nga 22 vendet që konsiderohen të sigurta nga Farnesina nuk e respektojnë këtë kriter. As Tunizia, as Egjipti dhe as Bangladeshi nga ku vijnë shumica e azilkërkuesve. Nëse gjyqtarët zbatojnë vendimin evropian – siç duket e pashmangshme, dhe siç ka ndodhur tashmë në Palermo, ku disa kërkesa për vlefshmërinë e ndalimit të qytetarëve tunizianë sapo janë refuzuar – shumë pak emigrantë do të mund të ndalohen në Shqipëri.
Çfarë do të bëjë qeveria italiane
Në këtë rast, çfarë do të bëjë qeveria italiane? Hipoteza më e mundshme, të paktën në të ardhmen e afërt, është se do të ketë një sfidë ligjore.