Një ndryshim i papritur ka ndodhur në drejtimin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në Elbasan. Everest Kazheli, i cili ishte emëruar vetëm pak orë më parë në krye të institucionit, ka dhënë dorëheqjen pas vetëm tre orësh nga marrja e detyrës.
Pas largimit të tij, në këtë pozicion është caktuar Gentian Mahmutaj, i cili deri më tani ushtronte funksionin e përgjegjësit të sektorit tekniko-ligjor në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Lëvizja e menjëhershme në drejtimin e ASHK-së në Elbasan ka ngritur pikëpyetje, pasi largimi i Kazhelit erdhi në një kohë tepër të shkurtër nga emërimi i tij.
Deri në këto momente, nuk ka një informacion zyrtar mbi arsyet që e kanë çuar Kazhelin drejt dorëheqjes, ndërsa Gentian Mahmutaj merr tashmë drejtimin e institucionit.