Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se javën e ardhshme do të krijohet Ministria e Administratës Publike.
Gjatë një takimi ku u prezantua platforma ‘Shkalla e Meritës’, Rama njoftoi për krijimin e kësaj ministrie, e cila do të drejtohet nga Adea Pirdeni.
Sipas kreut të qeverisë, kjo ministri ka si synim krijimin e një administrate profesionale, që do të ndihmojë Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Do të krijojmë javën e ardhshme Ministrinë e Administratës Publike, pikërisht se tanimë tema e administratës publike është një temë shumë qendore e punës së qeverisë dhe e shtetbërjes së mëtejshme europiane të Shqipërisë. Është nevoja që përmes kësaj ministrie që e kanë shumë vende të tjera europiane, ne të zgjerojmë gamën e detyrave, punëve e ambicieve për të ngritur më lart shtetin europian të shqiptarëve. Nuk diskutohet që Ministrinë e Administratës Publike mund ta drejtojë dhe ta çojë përpara vetëm ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni”, tha mes të tjerash Rama.