Vetëdorëzohet në Polici vrasësi i biznesmenit italian në Tepelenë

Është vetëdorëzuar në policinë e Gjirokastrës Kamber Sulçaj, i cili akuzohet si vrasësi i biznesmenit italian Edoardo Sarchi pak ditë më parë në fshatin Salari të Tepelenës.

Sulçaj, i cili ishte shpallur në kërkim nga autoritetet tona, është paraqitur bashkë me avokatin e tij në Polici lidhur me krimin e 27 shtatorit.

48-vjeçari, banues në Mesaplik të Vlorës ishte shpallur në kërkim për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit” dhe “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Sipas hetimeve, motivi i vrasjes ka nisur nga një konflikt banal për dritat e gjata të makinës, mes Kamber Sulçajt dhe djalit të ortakut të biznesmenit italian, Gazmend Braçi

Ky i fundit, në dëshminë e tij, tregon se pas zënkës me autorin, automjeti i tij mbeti në rrugë për shkak të mungesës së karburantit. Për këtë arsye, ai kërkoi ndihmën e të atit, i cili mbërriti në vendngjarje bashkë me italianin, me dy automjete të ndryshme.

Më pas 48 vjeçari nisi të gjuante dhe plumbat prekèn biznesmenn italian, duke i marrë jetën.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një stan në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur 48-vjeçari, gjatë kryerjes së krimit.