Venezuelianët përballë pasigurisë ndërsa dalin në pah planet e administratës Trump për vendin e tyre

Presidenti Donald Trump, i forcuar nga zhvillimet e fundit, deklaroi të dielën në mbrëmje se Shtetet e Bashkuara janë “në kontroll” të Venezuelës, pasi presidenti Nicolás Maduro u arrestua në një operacion ushtarak gjatë fundjavës. Trump lëshoi gjithashtu paralajmërime të forta ndaj vendeve të tjera, duke sugjeruar se edhe ato mund të jenë të radhës.

Maduro u arrestua bashkë me bashkëshorten e tij, Cilia Flores, gjatë një bastisjeje vdekjeprurëse në orët e para të së shtunës. Ai pritet të dalë për herë të parë para gjykatës të hënën në mesditë (ora lokale e SHBA-së) në Nju Jork, ku do të përballet me akuza se, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka bashkëpunuar me narkoterroristë për të trafikuar mijëra tonë kokainë drejt Shteteve të Bashkuara.

Deklaratat e fundit të Trump vijnë në një kohë kur disa zyrtarë të administratës së tij, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, kanë sugjeruar se SHBA do të mbështetet më shumë te presioni dhe ndikimi politik ndaj Venezuelës, sesa ta drejtojë drejtpërdrejt vendin, siç la të kuptohej fillimisht Trump gjatë një konference për shtyp të shtunën.

Ndërkohë, qytetarët venezuelanë po qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, duke pritur më shumë informacion mbi planet e administratës Trump për vendin e tyre. Sipas zyrtarëve amerikanë, administrata po vepron me shpejtësi për të vendosur një qeveri të përkohshme bashkëpunuese, duke i dhënë përparësi stabilitetit administrativ dhe riparimit të infrastrukturës së naftës, përpara një kalimi të menjëhershëm drejt demokracisë.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar nënkryetares Delcy Rodríguez, të cilën këshilltarët e Trump e kanë identifikuar prej javësh si një alternativë të mundshme, megjithëse jo të përhershme, ndaj Maduros. Pavarësisht reagimeve të saj fillestare kritike ndaj arrestimit të Maduros, zyrtarët amerikanë kanë shprehur optimizëm se ajo mund të bashkëpunojë me SHBA-në.

Deri të dielën në mbrëmje, Rodríguez kishte zbutur tonin, duke bërë thirrje për “bashkëpunim” me Shtetet e Bashkuara.

Trump u kthye në Uashington vonë të dielën, ndërsa reagimet në Kongres ndaj operacionit ushtarak kanë qenë kryesisht të ndara sipas linjave partiake. Kongresi nuk ishte njoftuar paraprakisht për operacionin.

Demokratët kanë kritikuar ashpër administratën për mungesën e autorizimit nga Kongresi, ndërsa shumica e republikanëve aleatë të Trump e kanë përshëndetur operacionin.

Kryetari republikan i Komisionit të Inteligjencës në Senat, Tom Cotton, deklaroi për CNN se zgjedhje të reja “legjitime”, ku të përfshihet edhe opozita, ka të ngjarë të jenë hapi i radhës.

Çfarë ndodhi gjatë operacionit ushtarak?

Administrata Trump goditi disa zona të Karakasit, kryeqytetit të Venezuelës, në orët e para të së shtunës, më 3 janar. Forcat elitare amerikane Delta Force arrestuan Maduron dhe Flores në dhomën e tyre të gjumit dhe i transportuan fillimisht në anijen USS Iwo Jima, më pas drejt Nju Jorkut përmes Guantanamos.

Operacioni ishte planifikuar për muaj të tërë dhe ishte kulmi i një fushate presioni ndaj Maduros, e cila përfshinte një prani të madhe detare amerikane në Karaibe dhe bllokimin e cisternave të naftës të sanksionuara.

Fushata e presionit përfshinte gjithashtu sulme që shkatërruan mbi 30 anije në Detin Karaibe dhe Oqeanin Paqësor Lindor, të cilat SHBA i ka përshkruar si pjesë të një operacioni kundër trafikut të drogës. Muajin e kaluar, Trump urdhëroi bllokimin e cisternave të naftës që hynin ose dilnin nga Venezuela.

Çfarë po ndodh me naftën e Venezuelës?

Marco Rubio mohoi të dielën akuzat se operacioni u krye për t’u dhënë kompanive amerikane qasje më të madhe në rezervat e naftës së Venezuelës, më të mëdhatë e provuara në botë. Megjithatë, ai parashikoi “interes të madh” nga kompanitë perëndimore të naftës.

Sipas CNN, disa kompani energjetike janë treguar të kujdesshme për t’u angazhuar, pasi industria e naftës nuk mund të ringjallet pa stabilitet politik. Nafta e Venezuelës është e rëndë dhe me përmbajtje të lartë squfuri, çka kërkon pajisje dhe ekspertizë të veçantë.

Kompania shtetërore PDVSA ka deklaruar se tubacionet nuk janë përditësuar prej 50 vitesh dhe se nevojiten rreth 58 miliardë dollarë për të rikthyer prodhimin maksimal.

Kush është në pushtet në Venezuelë?

Trump deklaroi se SHBA do ta “drejtojë” vendin derisa të realizohet një “tranzicion i sigurt dhe i rregullt”. Rubio më vonë sqaroi se bëhet fjalë për drejtimin e politikave, jo administrimin e drejtpërdrejtë.

Delcy Rodríguez ka marrë kompetencat e presidentes së përkohshme. Ajo fillimisht dënoi operacionin, por më pas ftoi SHBA-në për bashkëpunim dhe dialog.

Administrata Trump ka refuzuar të mbështesë hapur lideren e opozitës María Corina Machado, duke vënë në dyshim mbështetjen e saj popullore. Opozita, nga ana tjetër, këmbëngul se Edmundo González ishte fituesi i vërtetë i zgjedhjeve të vitit 2024.

Reagimet në rajon

Trump paralajmëroi edhe vende të tjera, përfshirë Kolumbinë dhe Meksikën, duke lënë të kuptohet për veprime të mundshme ushtarake. Ai përjashtoi ndërhyrjen në Kubë, duke thënë se regjimi atje “do të bjerë vetë”.

Presidenti kuban Miguel Díaz-Canel e dënoi operacionin, duke e quajtur “terror shtetëror”, dhe deklaroi se 32 shtetas kubanë u vranë gjatë sulmit.

Si po e përballojnë venezuelanët situatën?

Sipas raportimeve, rrugët e Karakasit dhe qyteteve të tjera janë të qeta. Qytetarët dalin vetëm për furnizime bazë, ndërsa ka radhë të gjata në supermarkete dhe farmaci. Mbështetësit e opozitës po festojnë në heshtje, ndërsa media shtetërore transmeton mesazhe sfiduese ndaj Trump./CNN