“Vendkalim për ariun”/ Për herë të parë në Shqipëri vendosen sinjale që mbrojnë jetën e egër

Shoqata e Mbrojtjes dhe Ruajtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka vendosur për herë të parë në vendin tonë tabela që synojnë mbrojtjen e jetës së egër dhe konkretisht për Ariun e Murrmë.

Tabelat janë vendosur përgjatë rrugës Pogradec-Kapshticë dhe përfaqësojnë një arritje historike pasi shënojnë instalimin e parë të sinjalistikës specifike për këtë lloj të rrezikuar në Shqipëri.

Vendosja e tabelave  vjen pasi më herët u identifikuan përmes një serie monitorimesh me kamera kurth, prania dhe riprodhimi i ariut të murrmë.

Përpara se të ideoheshin këto tabela, u realizuan konsultime edhe me banorët e disa fshatrave në afërsi.

Këto tabela sinjalistike paralajmëruese shërbejnë si një masë jetike derisa të krijohet infrastruktura e përshtatshme për të lehtësuar kalimin e sigurt të kafshëve të egra. Duke rritur ndërgjegjësimin dhe duke inkurajuar për më shumë kujdes, synohen të parandalohen aksidentet tragjike që mund të ndodhin jo vetëm për Ariun, por edhe për llojet e tjera që shfrytëzojnë këto habitate të fragmentuara.

Vendosja e tabelave ka qenë një nismë e përbashkët, me mbështetjen e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura Korçë.