Vendimi për arrestin shtëpiak, Berisha: Gjykata Kushtetuese, seksion i Partisë Socialiste

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit këtë të hënë në SPAK për të zbatuar masën e detyrimit të paraqitjes.

Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Berisha u ndal në një komunikim me gazetarët, ku u pyet mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që e konsideroi si të tejzgjatur masën e “arrestit të shtëpisë” ndaj tij, lidhur me dosjen “Partizani”.

Teksa e konsideroi Gjykatën Kushtetuese si një seksion të Partisë Socialiste, Berisha tha se vendimi ndaj tij u shpall antikushtetues, por nuk u shfuqizua, edhe pse pasojat e tij vazhdojnë ende sot. 

“Gjykata Kushtetuese është një seksion i një organizate partie të PS. Komenti i parë. Atë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas tetë muajve paraqitje në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda dy dhe tre javëve. Këto janë standardet partiake të Gjykatës Kushtetuese. Së dyti, Gjykata Kushtetuese, në një vendim të koduar partiak shpalli jo kushtetuese vendimin ndaj meje, por nuk e shfuqizoi atë. Ndërkohë që ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij dhe vendimi në çdo doktrinë përveçse atë të partisë së krimit, vendimi duhej shfuqizuar. Mori një vendim në favor të Lubisë dhe lubinjve të tjera që do shkojnë atë. Kaq është vendimi, i turpshëm. Sepse vendimet e tjera hapin rrugën ta shfuqizojnë. Vendimin tim nuk e shfuqizoi duke pretenduar se merret vetëm me vendimet që janë në fuqi. Nuk është ashtu. Merret me vendimet që janë në fuqi dhe me pasojat që ka sjellë. Besoj se e morët vesh se ç’përfaqësojnë, mos t’i marr tani, njerëz të kapur peng me dhjetëra e dhjetëra mëkate dhe gjëra të padenja”, tha Berisha.