Xhuliano Bitri, vëllai 18-vjeçar i Klajdi Bitrit, 23 vjeçarit shqiptar që u vra me shtizë pasditen e së dielës në Sirolo të Italisë, kërkon drejtësi.
Në një intervistë për mediat italiane, Xhuliano tha se vëllai i tij punonte në port dhe ishte i integruar në Ankona. Ai u vra në përpjekje për të shpëtuar mikun e tij italian, i cili po përleshej me një algjerian nga ky i fundit.
“Unë dua drejtësi. E pashë vëllanë të më vdiste vdiste para meje, të vrarë me indiferencë totale, pa e kuptuar as pse. Pa pasur kohë për të kuptuar se ai po vdiste. E pashë të zbehej gjithnjë e më shumë, krejt papritur, dhe nuk më përgjigjej më sepse kishte vdekur. I vrarë”, thotë Xhuliano.
Për mediat, Xhuliano tregon se e ka parë grahmat e fundit të jetës së Klajdit, i cili i u vra gjakftohtësisht nga algjeriani. Tashmë i duhet Xhulianos të sjellë në Shqipëri trupin e vëllait të tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit.
“Isha me vëllanë tim dhe një person tjetër, po shkonim në det në Sirolo. Ishim pak mbrapa dhe, kur mbërritëm, pamë Danilon (mikun italian) duke u rrahur nga algjeriani në mes të rrugës. Vëllai im kishte shumë respekt për Danilon, pasi e mori për të punuar në kuzhinën e restorantit të tij dhe vëllai im mundi të kursente para e të më merrte dhe mua me vete këtu në Itali. Vëllai hyri për të ndarë sherrin, por kur u duk se gjithçka ishte qetësuar, algjeriani e godit edhe atë me shtizë. Ai e qëlloi me dashje. Pasi i nguli shtizën vëllait tim në gjoks, u largua. Prindërit tanë janë ende në Shqipëri. Ata nuk mund të vijnë as në Itali për të parë djalin e tyre. Tani, jam unë që ndihem i detyruar të zgjidh të gjitha dokumentet e nevojshme për ta dërguar trupin në shtëpi,-“tha 18 vjeçari.
Autori i krimit algjeriani Fatah Melloul u arrestua 4 orë pas ngjarjes, ndërsa policia i sekuestroi armën me të cilën i mori jetën 23 vjeçarit.
Mediat italiane e përshkruan të riun shqiptar si një “shembull i përsosur i integrimit”. Ai punonte në port prej shumë vitesh dhe ishte i integruar mirë në realitetin e Ankonës, qytetit ku jetonte.