Miliarderi gjerman Klaus-Michael Kühne, i cili ndërroi jetë më 24 gusht 2026 në moshën 89-vjeçare, la pas një pasuri prej rreth 42.2 miliardë eurosh. Meqë nuk kishte fëmijë dhe jetonte në kantonin zviceran Schwyz, ku nuk aplikohet taksë mbi trashëgiminë, pasuria e tij nuk kaloi te trashëgimtarë individualë dhe nuk iu nënshtrua tatimit mbi trashëgiminë.
Në vend të kësaj, pasuria u transferua, sipas planifikimit të bërë dekada më parë, te Kühne Foundation, fondacioni bamirës që ai kishte krijuar rreth 50 vjet më parë së bashku me prindërit.
Kühne ndërtoi një nga perandoritë më të mëdha të transportit dhe logjistikës në botë, duke e kthyer Kühne+Nagel në një gjigant global të transportit ajror dhe detar. Ai zotëronte gjithashtu aksione të rëndësishme në Hapag-Lloyd, Lufthansa, Brenntag dhe kompani të tjera, si dhe prona të shumta.
Me transferimin e pasurisë, fondacioni pritet të bëhet një nga organizatat bamirëse më të pasura në Evropë, me një portofol që përfshin jo vetëm para, por edhe aksione kontrolluese në kompani të mëdha ndërkombëtare.
Pasuria e Kühne është rritur më shumë se katërfish gjatë dekadës së fundit, kryesisht falë pjesëmarrjes së tij prej afro 60% në Kühne+Nagel.
Vendimi për ta vendosur pasurinë në një fondacion u favorizua edhe nga sistemi fiskal zviceran. Schwyz është një nga kantonet e Zvicrës që nuk vendos taksë mbi trashëgiminë, pavarësisht lidhjes familjare mes trashëgimlënësit dhe përfituesit.
Kështu, pasuria e një prej njerëzve më të pasur të Evropës nuk u nda mes trashëgimtarëve, por kaloi në një fondacion jofitimprurës, i cili tashmë do të administrojë një perandori biznesi prej dhjetëra miliarda eurosh.