Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e fundit në Kosovë, ku 27 vjeçari Agon Zejnullahu ka humbur jetën pasi u ndalua nga policia.
Mediat vendase shkruajnë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:15, kur Zejnullahu dyshohet se po sulmonte me veturë kalimtarët në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan
Pas thirrjes së qytetarëve, njësitë policore kanë ndërhyrë duke e arrestuar atë. Por 27 vjeçari pasi u ndalua nga autoritetet ka ndërruar jetë.
Rasti tashmë është cilësuar si vdekje e dyshimtë, ndërsa pesë zyrtarë policorë janë arrestuar dhe pezulluar nga detyra nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.
Familjarët e viktimës kanë hedhur akuza për vdekjen e të riut. Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit tha se ai kishte shenja dhune në fytyrë e në trup, pasi familja ishte thirrur që ta shihte atë në emergjencë.
“Lajmin e pranuam pas orës 01, na telefonoi dikush nga stacioni policor tha të vijmë në emergjencë…Kur shkuam aty, pam një çarçaf të bardhë përmbi vëllain dhe ishte pa shenja jete”, tha Zejnullahu për T7.
“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.
Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…Posedojmë video që vërehet duke bërtitë në frymën e fundit dhe e goditin në fytyrë dhe aty më nuk lëvizë”, tha Zejnullahu për mediat në Kosovë.