Vatikani ka konfirmuar se funerali i Papa Françeskut do të mbahet të shtunën në orën 10:00, në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Selia e Shenjtë ka njoftuar gjithashtu se arkivoli i Papa Françeskut do të transferohet në Bazilikën e Shën Pjetrit të mërkurën në mëngjes, ku do të qëndrojë deri në varrim.
Papa Françesku, ndërroi jetë të hënën në moshën 88-vjeçare, pas një sulmi në tru.
Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore. Ndërkaq për vdekjen tij do të mbahen nëntë ditë zie.
Të hënën është publikuar edhe testamenti i tij, ku Papa Françesku kishte kërkuar të varrosej jashtë Vatikanit, në Bazilikën e Shën Marisë së madhe në Romë, dhe “pa dekorime të veçanta”.
Ai ishte zgjedhur Papë në vitin 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, dhe e kishte zgjedhur emrin Françesk, si nderim ndaj Shën Françeskut të Asizit dhe veprave të tij ndaj të varfërve.