Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me aksionin e Prokurorisë së Posaçme sa i takon urdhër-arresteve të lëshuara pas hetimeve për abuzime me tenderët e AKSHI-t.
Gazetarja Klodiana Lala ka konfirmuar se Ergys Agasi në bashkëpunim me Erman Beqirin, për të cilët SPAK ka kërkuar “arrest me burg”, së bashku me efektivë policie kanë marrë peng biznesmenin Gerond Meçe, në mënyrë që ai të tërhiqej nga tenderët e AKSHI-t.
Lala tha se dy janë tenderët më problematik që janë hetuar, tenderi për mirëmbajtjen e për thesarin e shtetit pasi ka dyshime të forta se grupi kriminal ka në dorë transaksionet bredna e jashtë vendit për të gjithë personat dhe biznesmenë. dhe e dyta është për administrimin e dosjeve hetimore.
Mësohet se agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme në bizneset e Klajdi Merkajt, i arrestuar si i dyshuar për pastrim të parave të vëllezërve Franc e Hajdar Çopja.
Raportohet se ka dyshime të forta se përmes bizneseve të Klajdi Merkajt janë pastruar milionat e marra nga AKSHI.
Ndërkohë arrest shtëpie është caktuar për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtoreshën, Hava Delibashi.
Sakaq masat ndaj Agasit dhe Beqirit nuk janë ekzekutuar ende, pasi nuk janë gjetur në banesat e tyre.
Operacioni është në zhvillim e sipër nga ana e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sa i takon një hetimi pothuajse njëvjeçar mbi disa praktika të dyshuara si abuzive tenderuese në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Pritet që edhe SPAK të dalë me një njoftim zyrtar, lidhur me urdhër-arrestet dhe akuzat.