Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim që e formalizon atë që ‘de facto’ po ndodh prej vitesh, udhëtimet e Kryeministrit Edi Rama, shumë prej tyre me avionë charter, do të jenë konfidenciale dhe nuk do t’i nënshtrohen më transparencës publike.
Sipas vendimit të marrë: Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ) negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës.
Me këtë vendim, qytetarët shqiptarë nuk kanë më të drejtë të mësojnë se sa para harxhon Kryeministri për luksin e fluturimeve të tij, ku shkon, me kë shkon, dhe pse.
Mungesa e transparencës së Ramës për udhëtimet jashtë vendit ndodh prej vitesh, me kryeministrin që për disa vite tentoi të justifikonte faturat e kripura të udhëtimeve të tij me një marrëveshje me Air Albanian, por që në realitet nuk kishte asgjë të nënshkruar mes palëve.
“Historia e fluturimeve me charter të Ramës është një kapitull që prej kohësh i paraprin këtij vendimi. Sipas dokumenteve të publikuara, që në tetor 2022, grupi i hakerëve iranianë “Homeland Justice” publikoi nga sistemi TIMS hyrje-daljet dhe fluturimet e Edi Ramës jashtë vendit, duke zbuluar një numër befasues udhëtimesh me avionë privatë të vëna në dispozicion nga Air Albania.
Sipas të dhënave që publikuan hackerat iranianë, kryeministri Edi Rama kishte udhëtuar 134 herë me charter deri në shtator të vitit 2022. Ajo që binte në sy ishte se numri i fluturimeve ishte rritur vit pas viti dhe shifrat flisnin për udhëtime të shpeshta e të shtrenjta në lartësitë e luksit qeveritar”, shkruan Lapsi.al.
Ironikisht, shqiptarët sot më shumë dinë për udhëtimet e Ramës falë hakerëve iranianë, sesa falë institucioneve të shtetit të tyre.
Ky vendim është një tjetër dëshmi se pushteti i Ramës nuk ka ndërmend të japë llogari. Ndërsa qytetarët luftojnë me çmimet, emigrimin dhe pasigurinë, udhëtimet luksoze të kryeministrit jo vetëm vazhdojnë, por tani edhe zyrtarisht nuk do të mund të verifikohen më.