U shkarkua nga KPK për probleme me pasurinë, KPA rikthen në detyrë gjyqtarin Bib Ndreca

Komisioni i Pavarur i Apelimit (KPA) ka rikthyer në detyrë gjyqtarin e GJKKO-së, Bib Ndreca. Ky i fundit u shkarkua gjatë procesit të Vettingut prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për shkak të problemeve me pasurinë e tij. 3 vite pas këtij vendimi, ai rikthehet në detyrën e tij si gjyqtar.

Sipas KPK, problemet me pasurinë e gjyqtarit janë gjetur në lidhje me një sipërfaqe toke ku është ngritur një biznes, si dhe me blerjen e më pas dhurimin e një automjeti me vlerë 12 mijë euro si dhe pagesat për shlyerjen e një apartamenti.

Megjithatë komisioni e vlerësoi Ndrecën pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Ndreca është gjyqtari i dosjes së famshme 339, ku ka firmosur arrestimin e grupit të Avdylajve në Shijak. Pas firmosjes së arrestimeve, Ndreca ishte marrë në mbrojtje të posaçme nga policia. Por, pas tre muajsh, mbrojtja fizike nuk u rinovua, pasi Drejtoria e Policisë së Shtetit ka dhënë mendim që nuk ka rrezik më për gjyqtarin Ndreca.