Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka dalë pas 3 orësh nga ambientet e SPAK ku numri dy i qeverisë tha se u pyet për inceneratorin e Tiranës.
Në një komunikim me gazetarët jashtë Prokurorisë së Posaçme, ajo deklaroi se dosja e incenetarorëve ka bërë pis të madh dhe të vogël dhe sipas saj ka ardhur koha që të zbardhet.
“Ishte një thirrje sa i përket dosjes 255 që është inceneratorit i Tiranës. Duhet të jepja disa sqarime që shpresoj të ketë shërbyer për zbardhjen e kësaj dosje.
Kjo është ndarja e vërtetë e pushteteve. Pra qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia punën e tij. Ne jemi këtu për ta mbështetur.
Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh dhe të vogël, për të ndarë njëherë e mirë të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm”, tha ministrja.
Fletëthirrja për Ballukun u bë nga prokurori Dritan Prençi i cili po heton edhe inceneratorin e Tiranës, hetimet për të cilin janë drejt fundit.