Ngjarja e dhunshme me fisin Rraja në Krujë duket se ka vënë në levizje kokat e shtetit të cilët mesa duket po vendosin të bëjnë shembull. Pas 4 orësh takim të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi me kreun e Policisë, qindra forca speciale në terren, maxhoranca në pushtet veproi. Ministria e Brendshme njoftoi shkrirjen e të gjithë komisariatit të Krujës, ndërsa deputeti i PS, Rrahman Rraja, djali dhe të afërmit e të cilit janë ende në kërkim, njoftoi dorëzimin e mandatit të deputetit.
“I bej thirrje djalit tim te dorezohet para drejtesise. Zoti me dhente force qe ta perballoj kete dhimbje te madhe dhe jete qe ta shlyej kete turp qe me la mbi shpatulla si gur im bir. Ne fund mirenjohje dhe ndjese edhe kryetarit te partise dhe kryeministrit, i cili nuk me kishte asnje borxh per kete shqetesim kaq te madh publik qe i shkaktova”, tha Rraja.
Ndërkaq, Policia e Shtetit ne qendër ka marrë në dorë Komisariatin e Krujës.
“Në vijim të masave të marra do rinovohet e tërë trupa e niveleve zbatuese dhe drejtuese të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj është drejtuesi operacional dhe përgjegjësi për çështjet e rendit dhe sigurisë, në juridiksionin territorial të këtij komisariati,”- thuhet në njoftimin e Policisë.