U kap me armë pranë hotelit të familjes Muçollari, gjykata lë në burg 21 vjeçarin nga Pogradeci

Enes Shaho, 21 vjeçari që u arrestua një javë më parë në Pogradec është lënë në burg nga Gjykata e Korçës. I riu u kap në vendin e quajtur “Ura e Tushemishtit” me armë zjarri dhe dyshohet se po shkonte afër hotelit të familjes Muçollari.

Enes Shaho ishte pasagjer dhe sapo konstatoi policët që i bënë me shenjë të ndalonte, ka hedhur armën në drejtim të lumit. Policia thotë se armën e mbante në brez. Shërbimet e Policisë kanë gjetur në lumë, armën e zjarrit pistoletë me 6 fishekë në karikator, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shkop hekuri, një thikë dhe një celular që u gjetën në çantën e 21-vjeçarit. 

Shaho është djali i një besimtari (hoxhë) në Pogradec dhe shoku Firdeus Berberit, si dhe rezulton edhe më parë i dënuar për akuzën e “Kanosjes” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

Firdeus Berberit u kap në Janinë të Greqisë, së bashku me të shumëkërkuarin Laert Haxhiu.

Sipas policisë së Pogradecit, në momentin e arrestimit Enes Shaho, ishte në shoqërinë e dy persona të tjerë, ku njëri qëndronte në pozicionin e shoferit dhe dy të tjerë në sedilje. Makina e tyre është konstatuar nga policia rreth orës 01:20 të natës, në vendin e quajtur “Ura e Tushemishtit” shumë pranë Hotel “Voloreka”, pronë e babait të Johan Muçllarit, i cili i ka shpëtuar tre sulmeve me armë.

Enes Shaho, kishte pak kohë që ka dalë nga burgu, ndërsa në Pogradec njihet se anëtar i një grupi kriminal që drejtohet nga Ilir Berberi ose siç njihet ndryshe në qytet “Lili i Rrushkës”.

Njëherësh Enes Shaho, ka lidhje shoqërore me djalin e këtij të fundit, Firdeus Berberin, që pritet të ekstradohet nga Greqia për tu përballur me akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë në dëm të Johan Muçllarit, ngjarje kjo e ndodhur një vit më parë në Pogradec.