Ilia Ndoka është 50 vjeçari i cili u ekstradua sot nga Italia. Ndoka pjesë e bandës së ish deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka u arrestua në maj të vitit 2024 në vendin fqinj në kuadër të megaoperacionit të SPAK, ku u goditën 7 grupe kriminale.
Ilia Ndoka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.”
Ai akuzohet se ka ndihmuar me para dhe informacion kushëririn e tij, Arben Ndoka, në përpjekjet për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e vrasjes së vëllait të këtij të fundit, Aleksandër Ndoka. Për këtë arsye, ai kishte hyrë në marrëveshje edhe me grupe kriminale të njohura si “Avdylajt” në Shijak, grupi i Ervis Martinajt, grupi i Shullazit, si dhe me persona të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.