Turqia arreston 115 persona të dyshuar për planifikim sulmesh gjatë Vitit të Ri

Autoritetet turke kanë arrestuar 115 persona të dyshuar si anëtarë të organizatës terroriste ISIS, të cilët dyshohet se po planifikonin sulme gjatë festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Sipas Prokurorisë së Stambollit, operacione të gjera policore janë zhvilluar në 124 adresa në qytet, ku janë sekuestruar armë zjarri, municione dhe dokumente të organizatës. Hetimet tregojnë se të dyshuarit po përgatisnin sulme në disa zona të Turqisë, veçanërisht kundër objektivave jomyslimane.

Policia ka ndaluar 115 persona, ndërsa vijojnë kërkimet për kapjen e edhe 22 të dyshuarve të tjerë. Prokuroria bën me dije se të arrestuarit kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me operativë të ISIS jashtë territorit të Turqisë.

Njoftimi vjen dy ditë pasi shërbimet turke të inteligjencës zhvilluan një operacion në zonën kufitare Afganistan–Pakistan, ku u arrestua një shtetas turk i dyshuar si drejtues i lartë i degës së ISIS në rajon. Ai akuzohet për planifikim sulmesh ndaj civilëve.

Autoritetet turke vijojnë operacionet kundër personave me lidhje të dyshuara me ISIS, ndërsa Turqia ndan një kufi prej rreth 900 kilometrash me Sirinë, ku grupi terrorist vazhdon të jetë aktiv në disa zona.

Ndërkohë, SHBA ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj pozicioneve të ISIS në Siri, pas vrasjes së tre shtetasve amerikanë më herët gjatë këtij muaji.