Trump urdhëron pezullimin e Lotarisë Amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar pezullimin e përkohshëm të Programit të Vizave të Diversitetit, i njohur ndryshe si “lotaria amerikane”, një vendim që pritet të përballet me sfida të menjëhershme ligjore.

Programi i vizave të diversitetit, i krijuar nga Kongresi amerikan, ofron çdo vit deri në 50 mijë karta jeshile përmes një sistemi shorti për aplikantë nga vende me nivele historikisht të ulëta emigrimi drejt SHBA-së, shumica prej tyre nga Afrika. Fituesit dhe bashkëshortët e tyre mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm pasi t’i nënshtrohen procedurave standarde të verifikimit dhe intervistave konsullore.

Vendimi për pezullimin u mor nga Trump dhe u bë publik nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila deklaroi se programi “i ka lejuar autorit të dyshuar të sulmeve në Universitetin Brown dhe MIT të hyjë në SHBA”.

Në një postim në rrjetin social X, Noem tha se ka udhëzuar Shërbimin Amerikan të Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS) të ndalojë përkohësisht lotarinë, duke e cilësuar atë si një “boshllëk ligjor që rrezikon sigurinë kombëtare”.

Ky veprim vjen pas sulmeve vdekjeprurëse në Universitetin Brown dhe Institutin e Teknologjisë së Masaçusetsit (MIT), ku Claudio Neves Valente, shtetas portugez, dyshohet se vrau dy studentë dhe plagosi nëntë të tjerë në Brown, përpara se të vriste një profesor të MIT-it.

Sipas shefit të policisë së Providencës, Oscar Perez, Valente kishte hyrë në SHBA me vizë studentore në vitin 2000 dhe kishte përfituar statusin e rezidentit të përhershëm në vitin 2017. Ai u gjet i vdekur mbrëmjen e së enjtes nga një plagë me armë zjarri që dyshohet se ishte vetëshkaktuar.

“Ky individ i tmerrshëm nuk duhej të ishte lejuar kurrë të hynte në vendin tonë,” deklaroi Noem, duke e përshkruar rastin si “një shembull të qartë të rreziqeve të këtij programi”.

Gati 20 milionë persona aplikuan për lotarinë e vizave të diversitetit për vitin 2025, ndërsa mbi 131 mijë aplikantë u përzgjodhën.

Trump ka qenë prej kohësh kundërshtar i këtij programi, duke argumentuar se ai minon sigurinë kufitare dhe lejon hyrjen e emigrantëve pa kritere të mjaftueshme. Pezullimi, i paraqitur nga administrata si masë për sigurinë publike, vjen në kuadër të përpjekjeve më të gjera për shtrëngimin e politikave të emigracionit në SHBA.