Trump paralajmëron Iranin pas protestave vdekjeprurëse në disa provinca

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë nëse autoritetet iraniane qëllojnë dhe vrasin protestuesit që po demonstrojnë kundër përkeqësimit të kushteve ekonomike në vend.

Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se SHBA është e gatshme të reagojë në rast se protestuesit paqësorë dhunohen apo vriten. Ai paralajmëroi se Uashingtoni është “gati për veprim”, duke iu referuar mënyrës se si, sipas tij, autoritetet iraniane zakonisht i trajtojnë protestat.

Gjatë kësaj jave, dhjetëra protestues dolën në rrugë në disa provinca të Iranit, ndërsa përplasjet me policinë u bënë vdekjeprurëse në disa raste.

Zyrtarët iranianë reaguan ashpër ndaj deklaratave të Trumpit, duke paralajmëruar kundër çdo ndërhyrjeje amerikane në punët e brendshme të vendit. Ali Larijani, shefi i sigurisë kombëtare të Iranit, deklaroi se çdo ndërhyrje nga SHBA do të sillte “paqëndrueshmëri në të gjithë rajonin dhe shkatërrimin e interesave amerikane”. Ndërkohë, Ali Shamkhani, këshilltar i ngushtë i liderit suprem Ali Khamenei, e cilësoi sigurinë kombëtare të Iranit si një “vijë të kuqe”.

Sipas mediave shtetërore iraniane, të paktën tre persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën të enjten në mbrëmje, pasi protestuesit sulmuan një stacion policie në qytetin Azna, në provincën perëndimore Lorestan. Agjencia Fars raportoi se protestuesit u përplasën me policinë, hodhën gurë dhe dogjën automjete, ndërsa pretendoi se disa “traziraxhinj të armatosur” kishin përfituar nga protestat.

Në një incident tjetër, të paktën dy persona u vranë të enjten në mëngjes gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë në qarkun Lordegan, në provincën Chaharmahal dhe Bakhtiari. Ende nuk është e qartë nëse viktimat ishin protestues apo pjesëtarë të forcave të rendit.

Vdekja e parë e lidhur me protestat u raportua të mërkurën në mbrëmje, kur një anëtar i forcës paramilitare Basij u vra dhe 13 të tjerë u plagosën në qytetin Kuhdasht, në Lorestan. Forca Basij përdoret shpesh nga regjimi për shtypjen e protestave.

Autoritetet iraniane njoftuan gjithashtu për arrestimin e dhjetëra personave. Sipas prokurorisë lokale, 20 persona u arrestuan në Kuhdasht, ndërsa në qarkun Malard të provincës së Teheranit u arrestuan 30 persona të tjerë për “prishje të rendit publik”.

Protestat u përhapën në disa qytete iraniane, ku tregtarë, studentë dhe qytetarë të tjerë dolën në rrugë duke brohoritur slogane kundër regjimit, të nxitura nga kriza ekonomike dhe rënia rekord e monedhës vendase.

Këto janë protestat më të mëdha që nga kryengritja mbarëkombëtare e vitit 2022, e nisur pas vdekjes së Mahsa Amini, e cila humbi jetën në paraburgim pasi u arrestua nga policia e moralit.

Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësim për raportimet mbi dhunë, frikësim dhe arrestime të protestuesve, duke u bërë thirrje autoriteteve iraniane të ndalin shtypjen e protestave.

Megjithëse ende të kufizuara, protestat shënojnë një tjetër fazë të pakënaqësisë në rritje në Iran, ndërsa qytetarët po përpiqen të rimarrin hapësirat publike dhe liritë personale përmes akteve të vazhdueshme kundërshtimi.