Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje që ai e cilësoi “historike” për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës.
“Sot, Bordi i Paqes arriti një marrëveshje HISTORIKE për ÇARMATIMIN E PLOTË të Hamasit dhe të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Ky është një hap monumental drejt PAQES dhe SIGURISË së qëndrueshme”, shkroi Trump.
Trump tha se marrëveshja është hap vendimtar drejt krijimit të një qeverie të re palestineze që do ta qeverisë Gazën dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të ashtuquajturin Bord i Paqes.
“Në të njëjtën kohë, Izraeli do të ketë sigurinë që meriton, pasi Gaza nuk do të përdoret më si bazë për sulme terroriste”, shtoi ai.
Konfirmimi për marrëveshjen ka ardhur edhe nga drejtues të Hamasit. Ghazi Hamad, anëtar i delegacionit negociator të grupit palestinez, deklaroi se Hamasi mbetet i përkushtuar ndaj objektivave të tij kombëtare dhe mbrojtjes së të drejtave të popullit palestinez.
Ai theksoi se çështja e armëve është e lidhur me elementë të tjerë të marrëveshjes, përfshirë tërheqjen e Izraelit nga Rripi i Gazës dhe procesin e rindërtimit.
“Nuk do të ndërmarrim asnjë veprim nëse forcat pushtuese nuk respektojnë detyrimet e parashikuara në marrëveshje”, u shpreh Hamad.