Rrjeti spitalor shqiptar funksionon me nivele të ulëta shfrytëzimi, ndërsa një pjesë e madhe e aktivitetit është përqendruar në pak institucione, sipas raportit të Bankës Botërore për financimin dhe efikasitetin e sektorit të shëndetësisë.
Në vitin 2024, norma mesatare e zënies së shtretërve në spitalet publike ishte rreth 43%, pas një niveli prej 46% një vit më parë. Raporti e krahason këtë me një standard ndërkombëtar efikasiteti prej afërsisht 85%.
Të dhënat tregojnë se numri i shtretërve spitalorë arriti në 8,911 në vitin 2024, nga 8,586 në vitin 2019, edhe pse popullsia e vendit ka rënë. Gjatë së njëjtës periudhë, popullsia e raportuar në tabelën e Bankës Botërore ra nga 2.86 milionë në 2.36 milionë banorë.
Numri i personave të shtruar në spitale u rrit në 299,318 në vitin 2024, nga 282,962 në vitin 2019. Shtrimet për 1,000 banorë u rritën në 127, nga 99 në vitin 2019, ndërsa kohëzgjatja mesatare e qëndrimit në spital ra në 4.7 ditë.
Raporti vëren se spitalet shqiptare po pranojnë më shumë pacientë, ndryshe nga prirja e rënies së shtrimeve të vërejtur në rajonin evropian dhe në vendet e OECD-së.
Gjithsesi, shtretërit mbeten të zënë më pak se gjysmën e kohës, kryesisht për shkak të qëndrimeve më të shkurtra dhe përqendrimit të shërbimeve në një numër të kufizuar institucionesh.
Rreth 40% e të gjitha shtrimeve spitalore përqendrohen në një spital të vetëm terciar në Tiranë, ndërsa shumë spitale rajonale funksionojnë me vëllime të ulëta aktiviteti.
Shërbime të caktuara janë gjithashtu të përqendruara në pak spitale. Raporti thekson se 68% e ndërhyrjeve kardiake kryhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa 79% e operacioneve të kataraktit realizohen në të njëjtin institucion.
Radioterapia dhe trajtimi me përshpejtues linear ofrohen vetëm nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Banka Botërore vëren se investimet e viteve të fundit janë fokusuar në modernizimin e infrastrukturës, pajisjeve dhe menaxhimit të spitaleve.
Por këto investime kanë sjellë përparim të kufizuar në konsolidimin e rrjetit dhe në përmirësimin e efikasitetit operacional. Raporti rekomandon një qasje më strategjike për optimizimin e rrjetit spitalor, përfshirë kontraktimin selektiv sipas volumit ose kritereve të përcaktuara.
Ai propozon gjithashtu racionalizimin e numrit të shtretërve dhe ristrukturimin e spitaleve lokale me efikasitet të ulët. Në kapitullin e rekomandimeve, Banka Botërore kërkon konsolidimin e shërbimeve në qendra ekselence dhe ripërdorimin e institucioneve që vazhdojnë të mbeten të nënshfrytëzuara.