Është liruar nga burgu ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ndodhej në qeli që prej korrikut të vitit 2024 për abuzimin me fondet e BE.
Vendimi është marrë nga GJKKO, duke caktuar masen “arrest shtëpie”, pas shqyrtimit të kërkesës së Beqajt për shuarjen e masës “arrest në burg”, me argumentin se janë tejkaluar afatet e paraburgimit.
Një ditë më parë, GJKKO vendosi gjithashtu zbutjen e masës së sigurisë edhe për Ermal Kurtulajn, duke ndryshuar statusin e tij në kuadër të të njëjtit hetim.
Sipas avokatit të Beqajt, ky është një vendim i balancuar, që sipas tij, i jep mundësi Prokurorisë të provojë akuzën, e cila deri më sot mbetet e paqartë.
“Mori vendimin për kthimin mbrapsht të akteve të dosjes në Prokurori. Ky vendim bën që afatet e mëparshme të bashkohen me afatet e hetimit paraprak, ndërsa afatet e paraburgimit shuhen. Vendimin e sotëm nuk do ta apelojmë, ashtu siç nuk do ta apelojë as Prokuroria. Edhe Prokuroria ishte dakord me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Tani i takon Prokurorisë të marrë vendimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe unë pres që zoti Beqaj të shkojë në shtëpi. Zoti Beqaj ishte i lumtur që do të kthehet në shtëpi, por prej më shumë se dy vitesh jemi sorollatur për një çështje që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë
Ky është një vendim i balancuar, që i jep mundësi Prokurorisë të provojë akuzën, e cila deri më sot mbetet e paqartë. Shpresoj që Prokuroria të tregohet korrekte në përmbushjen e detyrave që do t’i lërë gjykata. Afatet e paraburgimit shuhen. Kemi më shumë se dy vjet dhe ato tashmë janë tejkaluar”, tha avokati i Beqajt.