Trump: Lufta me Iranin mund të përfundojë pas zgjedhjeve të nëntorit

Presidenti amerikan Donald Trump tha se konflikti me Iranin mund të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve të nëntorit, ndërsa kërcënoi sërish me sulme ndaj një objekti të lidhur me programin bërthamor iranian. Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar, duke goditur edhe furnizimet globale me naftë.

Donald Trump deklaroi të mërkurën se beson se lufta me Iranin do të përfundojë pas zgjedhjeve te mes mandatit, duke akuzuar Teheranin se po përpiqet të ndikojë në rezultatin e tyre.

“Besoj se lufta do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse ata nuk mund të rezistojnë më. Janë të dëshpëruar dhe po përpiqen të ndikojnë në zgjedhje”, u tha Trump gazetarëve.

Deklarata vjen në një kohë kur luftimet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit janë intensifikuar. Të dyja palët kanë ndërmarrë sulme të reja ndaj transportit detar, ndërsa Irani tha se kishte sulmuar 10 anije pranë ngushticës së Hormuzit, pasi SHBA-ja kishte fundosur pesë cisterna iraniane të naftës.

Trump kërcënoi gjithashtu me goditje ndaj Pickaxe Mountain, një objekt i fortifikuar pranë impiantit të pasurimit të uraniumit në Natanz. Sipas presidentit amerikan, në këtë zonë ndodhen dy komplekse tunelesh të ndërtuara thellë nën tokë.

“Do t’i këshilloja Iranit të mos bëjë lëvizje të pamatura, sepse do të na duhet t’i godasim shumë fort”, tha Trump.

Ndërkohë, The Wall Street Journal raportoi se disa prej këshilltarëve më të lartë të Shtëpisë së Bardhë, përfshirë nënpresidentin JD Vance dhe sekretarin e Shtetit Marco Rubio, e kanë paralajmëruar privatisht Trumpin se konflikti mund të zgjasë deri në fund të mandatit të tij, në janar 2029. Reuters tha se nuk ishte në gjendje ta verifikonte menjëherë raportin.

Nafta mbi 100 dollarë për fuçi

Përshkallëzimi i konfliktit ka goditur rëndë transportin detar dhe tregjet energjetike. Çmimi i naftës Brent qëndroi mbi 100 dollarë për fuçi, ndërsa trafiku përmes ngushticës së Hormuzit dhe Detit të Kuq vijon të jetë i kufizuar.

Vetëm shtatë anije kaluan përmes ngushticës së Hormuzit të mërkurën, rreth gjysma e mesatares së 10 ditëve të fundit. Përmes kësaj rruge transportohej rreth një e pesta e furnizimit global me naftë përpara luftës.

Përshkallëzohen sulmet në Arabinë Saudite

Në një tjetër front të konfliktit, përplasjet mes Arabisë Saudite dhe Houthive të mbështetur nga Irani janë intensifikuar në Jemen.

Të paktën 73 persona janë plagosur në katër qytete të Arabisë Saudite jugore, përfshirë Khamis Mushait, pas sulmeve të fundit të Houthive.

Grupi militant tha se kishte goditur një bazë ajrore në Khamis Mushait dhe infrastrukturë naftore në qytetet përreth. Autoritetet saudite të mbrojtjes civile lëshuan disa alarme emergjence brenda 24 orëve, përpara se të njoftonin të enjten për përfundimin e gjendjes së alarmit.

Ndërkohë, rritja e çmimeve të karburanteve dhe pasojat ekonomike të luftës kanë ndikuar në rënien e mbështetjes për Trumpin, i cili përballet me zgjedhjet afatmesme të nëntorit që do të përcaktojnë nëse republikanët do të ruajnë kontrollin e Kongresit.