Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është shprehur i pakënaqur me propozimin më të fundit të Iranit për zgjidhjen e luftës dy-mujore, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan, duke zbehur shpresat për një fund të afërt të konfliktit që ka tronditur furnizimet me energji, ka nxitur inflacionin dhe ka shkaktuar mijëra viktima.
Sipas burimeve të Reuters, propozimi i Iranit parashikon që diskutimet për programin bërthamor të shtyhen deri në përfundimin e luftës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi transportin detar në Gjirin Persik.
Megjithatë, kjo qasje nuk pritet të pranohet nga SHBA-ja, e cila këmbëngul se çështjet bërthamore duhet të trajtohen që në fillim të negociatave. Një zyrtar amerikan, i informuar mbi takimin e Trump me këshilltarët e tij të hënën, tha se pikërisht ky element e ka bërë presidentin të refuzojë propozimin iranian.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi se SHBA “nuk negocion përmes mediave” dhe se “vijat e kuqe janë bërë të qarta”, ndërsa administrata Trump synon t’i japë fund luftës kundër Iranit, e nisur në shkurt së bashku me Izraelin.
Një marrëveshje e mëparshme e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, përfshirë SHBA-në, kishte kufizuar ndjeshëm programin bërthamor të Teheranit, i cili pretendon se ka qëllime paqësore. Por kjo marrëveshje u rrëzua pasi Trump u tërhoq në mënyrë të njëanshme gjatë mandatit të tij të parë.
Ndërkohë, përpjekjet për paqe janë zbehur edhe më tej pasi Trump anuloi një vizitë të planifikuar në Islamabad nga i dërguari i tij special Steve Witkoff dhe dhëndri Jared Kushner. Gjatë fundjavës, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi zhvilloi disa takime diplomatike, përfshirë vizita në Oman dhe Rusi, ku u takua me presidentin Vladimir Putin dhe mori mbështetje nga një aleat i vjetër.
Ndërkohë që palët mbeten larg një marrëveshjeje, çmimet e naftës kanë rifilluar rritjen në tregjet aziatike.
“Për tregtarët e naftës nuk ka më rëndësi retorika, por rrjedha reale e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, e cila aktualisht mbetet e kufizuar”, tha analisti i tregjeve Fawad Razaqzada.
Sipas të dhënave të gjurmimit të anijeve, të paktën gjashtë cisterna me naftë iraniane janë detyruar të kthehen pas drejt Iranit për shkak të bllokadës amerikane, duke theksuar ndikimin e luftës në trafikun detar.
Ministria e Jashtme e Iranit i ka dënuar këto veprime si “legalizim të hapur të piraterisë dhe grabitjes së armatosur në det të hapur”.
Para nisjes së konfliktit, rreth 125–140 anije kalonin çdo ditë nëpër Ngushticën e Hormuzit, por gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar vetëm shtatë të tilla, dhe asnjë prej tyre nuk transportonte naftë për tregun global.
Ndërkohë, Trump përballet me presion të brendshëm në rritje për t’i dhënë fund luftës, teksa mbështetja publike për të është në rënie.
Nga ana tjetër, ministri iranian Araqchi deklaroi nga Rusia se ishte vetë Trump ai që kishte kërkuar negociata, pasi SHBA nuk ka arritur objektivat e saj.
Zyrtarë të lartë iranianë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se propozimi i fundit parashikon negociata në disa faza. Fillimisht kërkohet ndalimi i luftës dhe garanci që SHBA nuk do ta rifillojë atë. Më pas do të trajtohen çështjet e bllokadës detare dhe kontrollit të Ngushticës së Hormuzit.
Vetëm në fazat e mëvonshme do të diskutohet për programin bërthamor, ku Irani kërkon njohjen e të drejtës së tij për pasurimin e uraniumit.