Trump dhe Vance sinjalizojnë marrëveshje me Iranin, tankerët nisin të largohen nga Hormuzi

Dy tankerë kinezë të ngarkuar me naftë dolën këtë të mërkurë nga Ngushtica e Hormuzit, sipas të dhënave të transportit detar, duke shtuar shpresat se konflikti SHBA-Izrael me Iranin mund të marrë fund së shpejti pas deklaratave pozitive nga presidenti amerikan Donald Trump dhe zv/presidenti JD Vance.

Trump deklaroi të martën se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”, ndërsa Vance foli për progres në bisedimet me Teheranin për një marrëveshje që do t’i jepte fund armiqësive.

“Jemi në një pozicion mjaft të mirë”, tha Vance gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Komentet e Trump erdhën një ditë pasi ai tha se kishte pezulluar rifillimin e sulmeve pas një propozimi të ri nga Irani për t’i dhënë fund konfliktit.

“Isha vetëm një orë larg marrjes së vendimit për të vepruar sot”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Ai shtoi se liderët iranianë “po luten për një marrëveshje”, por paralajmëroi se një sulm i ri amerikan mund të ndodhë në ditët në vijim nëse nuk arrihet akord.

Shtetet e Bashkuara po përballen me vështirësi për t’i dhënë fund luftës që nisi bashkë me Izraelin afro tre muaj më parë. Trump ka deklaruar vazhdimisht se një marrëveshje me Teheranin është afër, ndërsa ka kërcënuar Iranin me goditje të rënda në rast të dështimit të negociatave.

Presidenti amerikan ndodhet nën presion të fortë politik në vend për të arritur një marrëveshje që do të rihapte Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për furnizimin global me naftë dhe mallra të tjera. Çmimet e karburanteve mbeten të larta, ndërsa popullariteti i Trump ka rënë ndjeshëm përpara zgjedhjeve të Kongresit në nëntor.

Konflikti ka shkaktuar ndërprerjen më të rëndë ndonjëherë të furnizimeve globale me energji, duke bllokuar qindra tankerë në Gjirin Persik dhe duke dëmtuar infrastrukturën energjetike dhe portuale në rajon.

Sipas të dhënave të LSEG dhe Kpler, dy anijet kineze, pjesë e një grupi supertankerësh që transportonin naftë irakiane, kaluan përmes ngushticës duke transportuar rreth 4 milionë fuçi naftë bruto.

Ndërkohë, çmimet e naftës ranë pas sinjaleve pozitive nga Uashingtoni dhe Gjiri Persik. Nafta Brent zbriti deri në 110.16 dollarë për fuçi, përpara se të rikuperonte një pjesë të humbjeve.

“Investitorët po përpiqen të kuptojnë nëse Uashingtoni dhe Teherani mund të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe të arrijnë një marrëveshje paqeje, ndërsa qëndrimi amerikan ndryshon nga dita në ditë”, deklaroi Toshitaka Tazawa, analist në Fujitomi Securities.

Nga ana tjetër, zv/presidenti Vance pranoi vështirësitë në negociatat me udhëheqjen e fragmentuar iraniane.

“Nuk është gjithmonë e qartë cili është pozicioni negociues i ekipit iranian”, tha ai, duke shtuar se SHBA po përpiqet të bëjë të qarta “vijat e kuqe”.

Media shtetërore iraniane raportoi se propozimi më i fundit i Teheranit për paqe përfshin ndalimin e armiqësive në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, largimin e forcave amerikane nga zonat pranë Iranit dhe kompensime për dëmet e shkaktuara nga sulmet amerikano-izraelite.

Irani gjithashtu kërkon heqjen e sanksioneve, lirimin e fondeve të ngrira dhe përfundimin e bllokadës detare amerikane.

Megjithatë, kushtet e propozuara nuk duket se ndryshojnë shumë nga oferta e mëparshme iraniane, të cilën Trump e hodhi poshtë javën e kaluar duke e cilësuar si “mbeturinë”.

Armëpushimi mes palëve ka mbajtur kryesisht, edhe pse së fundmi janë raportuar sulme me dronë nga Iraku drejt vendeve të Gjirit, përfshirë Arabinë Saudite dhe Kuvajtin, të cilat dyshohet se janë kryer nga aleatë të Iranit.

Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kanë deklaruar se objektivi i luftës ishte frenimi i mbështetjes iraniane për milicitë rajonale, shkatërrimi i programit bërthamor dhe kapaciteteve raketore të Teheranit.