Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, duke mos pranuar rekursin e personave të dënuar në këtë dosje.
Me këtë vendim mbeten në fuqi dënimet e dhëna nga Apeli i GJKKO-së për ish-ministrin Lefter Koka, ish-deputetin Alqi Bllako, si edhe për biznesmenët dhe zyrtarët e tjerë të përfshirë në aferën e inceneratorëve.
Sipas vendimit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 6 vite e 8 muaj heqje lirie.
Ndërkohë, Alqi Bllako është dënuar me 4 vite burgim, që me gjykim të shkurtuar zbret në 2 vite e 8 muaj burg.
Për biznesmenin Klodian Zoto, Apeli kishte vendosur 10 vite burg, të reduktuara në 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar. I njëjti dënim është dhënë edhe për Mirel Mërtirin.
Stela Gugallja është dënuar me 7 vite burgim dhe, për shkak të gjykimit të shkurtuar, do të vuajë 4 vite e 8 muaj burg.
Ndërsa Pëllumb Abeshi dhe Jonida Zeqo janë dënuar me nga 4 vite burg, të reduktuara në 2 vite e 8 muaj heqje lirie.
Apeli i Posaçëm kishte lënë në fuqi gjithashtu dënimet për Bardhyl Çabirin me 2 vite burg dhe për Serafin Papën me 1 vit e 4 muaj burgim.
Vendimi i Gjykatës së Lartë u mor nga trupa gjykuese e Kolegjit Penal, e përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni.