Pas helmimit të 56 studentëve, AKU zhbllokon aktivitetin e “SORI-AL”

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me rastin e helmimit të 56 kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, duke bërë me dije se analizat e kryera kanë rezultuar brenda normave të lejuara.

Sipas AKU-së, në kuadër të hetimeve dhe verifikimeve të ndërmarra pas incidentit, janë marrë mostra për analizë të higjienës ambientale dhe të pajisjeve të punës në kuzhinat e Akademisë së Sigurisë në Sauk, si dhe në ambientet e kuzhinës së Garnizonit të Forcave të Armatosura në Tiranë.

Mostrat janë analizuar pranë laboratorit të referencës në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), ku rezultatet zyrtare kanë konfirmuar se treguesit e higjienës kanë qenë brenda standardeve të lejuara.

Pas përfundimit të analizave, AKU vijoi me procedurat e inspektimit në të dy ambientet, si në Akademinë e Sigurisë në Sauk, ashtu edhe në Garnizonin e Forcave të Armatosura në Tiranë.

Në përfundim të procedurave, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “SORI-AL”. Gjithashtu, subjektit i është lënë detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm që shërbehet në ambientet e Garnizonit të Forcave të Armatosura, në përputhje me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

Njoftimi i AKU:

Në vijim të njoftimeve të kryera nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në lidhje me ndjekjen e rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk, bëjnë me dije se, AKU kreu procedurën e marrjes së mostrave për higjienën ambientale dhe të pajisjeve të punës brenda ambienteve të kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, Sauk dhe brenda ambienteve të kuzhinës së Garnizonit, të Forcave te Armatosura.

Pas analizimit të tyre pranë laboratorit të Referencës ISUV , informojmë që kanë rezultuar brenda normave të lejuara për treguesit e higjienës.

Referuar këtyre raport- provave është kryer procedura e inspektimit në adresat brenda ambienteve të Akademisë së Sigurisë, Sauk, Tiranë dhe brenda ambienteve te Garnizonit, te Forcave te Armatosura, Tiranë.

Në përfundim të procedurës AKU kreu zhbllokimin e aktivitetit të subjektit SORI-AL, si dhe i la detyrë të kryejë analiza autokontrolli për produktin e gatshëm brenda ambienteve të Garnizonit të Forcave të Armatosura, në zbatim të kërkesave të legjislacionit në fuqi.