Policia ka arritur të godasë një grup kriminal që trafikonte armë zjarri nga Kosova drejt Shqipërisë.
Mësohet se 4 persona janë arrestuar në vendparkimin e terminalit të autobusëve të Lindjes, ndërsa janë sekuestruar 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak.
Janë vënë në pranga B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë. Sipas Policisë, B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th. Çantën me armë, ndërsa më pas së bashku me M.K kanë ndjekur autobusin me automjetin e tyre gjatë gjithë itinerarit.
Njoftimi i Policisë:
Goditet një grup kriminal që trafikoi armë zjarri nga Kosova në Tiranë, me qëllim shitjen. Sekuestrohen 10 armë zjarri.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin e koduar “Transportuesi 2”.
Gjatë operacionit, në vendparkimin e një terminali autobusësh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.
Shtetasi B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak. Më pas, shtetasi B. K., në bashkëpunim me shtetasin M. K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itnerarit.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë.