Tjetërsimi i 44 mijë m² tokë në Fier, arrestohet drejtori i Spitalit Rajonal, Arben Voja

Një tjetër çështje e dyshuar e tjetërsimit të pronave shtetërore është zbuluar në Fier, ku 44 mijë metra katrorë tokë publike dyshohet se janë kaluar në mënyrë të paligjshme në pronësi private dhe më pas janë shitur te investitorët e një projekti fotovoltaik.

Hetimet e Prokurorisë së Fierit kanë çuar në caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për disa persona, mes tyre edhe drejtorin aktual të Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, si dhe ish-kreun e Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti.

Në të njëjtën masë sigurie janë përfshirë edhe dy punonjëset e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier, Fjorelo Bida dhe Arbina Jaupaj, si dhe noterja Anila Haxhiu.

Sipas dyshimeve të grupit hetimor, skema e tjetërsimit të pronës është realizuar në periudhën kur Arben Voja drejtonte Kadastrën e Fierit. Për kalimin e tokës nga pronë shtetërore në private dyshohet se janë përdorur dokumente të falsifikuara, duke i hapur rrugë më pas shitjes së saj për përfitime financiare.

Voja, i cili aktualisht mban detyrën e drejtorit të Spitalit Rajonal të Fierit, është ndaluar nga autoritetet dhe është marrë në pyetje nga dy prokurorë që po ndjekin çështjen.

Emri i tij është përfshirë edhe më herët në hetime. Në maj të vitit 2023, Kadastra e kallëzoi në SPAK për dyshime për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, duke pretenduar se veprimet e tij i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej 9.5 milionë lekësh.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2025, Prokuroria e Fierit e dërgoi Vojën për gjykim, së bashku me gjashtë punonjës të tjerë, në një çështje tjetër që kishte të bënte me dyshime për shkelje në procedurat e dhënies së lejeve mjedisore, gjatë kohës kur ai drejtonte Agjencinë Rajonale të Mjedisit Fier-Vlorë-Gjirokastër.

Ndërkohë, hetimi për 44 mijë metrat katrorë tokë vijon, me qëllim dokumentimin e plotë të mënyrës se si prona shtetërore përfundoi në duar private, si dhe përcaktimin e përgjegjësive të secilit prej personave të dyshuar.