Shumica e marrëdhënieve jashtëmartesore mbeten çështje private. Por, në rastin e themeluesit të Nvidia-s, Jensen Huang, një lidhje e fshehtë është kthyer në një çështje me interes publik, e cila mund të ketë pasoja globale për industrinë e inteligjencës artificiale.
Huang po hetohet lidhur me marrëdhënien e tij me një grua të dyshuar si spiune kineze, si dhe për mundësinë që të ketë zbuluar informacione konfidenciale dhe pronësi intelektuale të kompanisë.
Nvidia projekton dhe prodhon disa prej çipave më të fuqishëm në botë dhe është shndërruar në një kompani kyçe për infrastrukturën e inteligjencës artificiale. Aktiviteti i saj shtrihet edhe në fusha të tjera, si robotika dhe automjetet autonome. Kompania ka investuar gjithashtu në shumë biznese të inteligjencës artificiale në mbarë botën, përfshirë edhe në Evropë.
Çipat e prodhuar nga Nvidia përdoren për funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale dhe janë kthyer në një element të rëndësishëm të rivalitetit teknologjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Uashingtoni ka vendosur kufizime për eksportin e tyre drejt Pekinit, në kuadër të përpjekjeve për të ruajtur epërsinë teknologjike amerikane.
Vetë Huang ka lobuar që SHBA-ja të lehtësojë kufizimet për eksportin e çipave drejt Kinës.
“Nvidia është në njëfarë mënyre në themel të gjithë ekosistemit të inteligjencës artificiale”, thotë Carmem Domingues, ish-këshilltare e lartë për inteligjencën artificiale në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës Biden.
“Të gjitha kompanitë e inteligjencës artificiale ose kanë detyrime financiare ndaj Nvidia-s, ose varen prej saj për të ekzekutuar modelet e tyre dhe për të vijuar zhvillimin dhe zgjerimin e aktivitetit”, deklaroi ajo për Euronews Next.
Një drejtues i ri në krye të Nvidia-s?
Ndërsa bordi drejtues i Nvidia-s raportohet se po shqyrton mundësinë e largimit të Huang nga drejtimi i kompanisë, shtrohen pikëpyetje jo vetëm për pasuesin e tij, por edhe për pasojat që një zhvillim i tillë mund të ketë në tregjet financiare dhe industrinë e inteligjencës artificiale.
Huang është identifikuar për dekada me Nvidia-n. Ai e themeloi kompaninë rreth 30 vjet më parë, ndërsa prezantimet e tij të produkteve dhe teknologjive të reja ndiqen nga mijëra njerëz. Ai ka krijuar gjithashtu një bazë të madhe admiruesish në mbarë botën.
Sa i përket mundësisë së zëvendësimit të tij, Domingues mendon se kompania nuk ka një pasues të qartë, të përgatitur për të marrë menjëherë drejtimin.
Edhe pse dy fëmijët e Huang janë pjesë e kompanisë, sipas saj, nuk është e qartë se cilat janë përgjegjësitë e tyre dhe nëse kanë përvojën e nevojshme për të marrë drejtimin e saj. Edhe mundësia që një drejtues tjetër i brendshëm të zërë vendin e tij duket e pasigurt.
Domingues shton se edhe në rast se Huang largohet nga posti i CEO-s, kompania mund të vendosë ta mbajë atë në një rol tjetër, gjë që do të përbënte një lloj kompromisi në raport me përgjegjësinë për shkeljet e mundshme.
«Nëse i konsiderojmë dy vendet si kundërshtare, atëherë fakti që ato spiunojnë njëri-tjetrin është diçka që mund të pritet», shprehet ish-këshilltarja e administratës Biden.
Aksionet e Nvidia-s ranë me rreth 8% pas lajmeve se bordi po shqyrtonte mundësinë e largimit të Huang.
Domingues paralajmëron se lidhjet financiare mes kompanive të inteligjencës artificiale janë aq të ndërthurura, sa problemet e një kompanie mund të shkaktojnë pasoja për shumë të tjera.
«Të gjitha kompanitë e inteligjencës artificiale kanë një lloj financimi të ndërsjellë. Gjithçka është e ndërlidhur dhe, në shumë mënyra, kjo mund të jetë problematike. Rënia e njërës mund të tërheqë pas vetes shumë të tjera», thekson ajo.
Ajo e krahason këtë situatë me krizën financiare të vitit 2008, kur falimentimi i gjigantit financiar Lehman Brothers shkaktoi tronditje në sistemin financiar global, ndërsa shumë institucione të tjera konsideroheshin tepër të mëdha për të lejuar falimentimin e tyre.
«A do ta mbronte Nvidia atë, për të mos lejuar shembjen e gjithë kësaj strukture si një kështjellë letrash? A është Jensen, në njëfarë mënyre, tepër i rëndësishëm për të lejuar largimin e tij? Në njëfarë mase, po», shprehet Domingues.
Megjithatë, sipas saj, flluska e inteligjencës artificiale kishte filluar të shfaqte shenja dobësimi shumë përpara lajmeve për Huang dhe rezultateve të zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, të cilat nxorën në pah kundërshtimin në rritje ndaj qendrave të të dhënave dhe zgjerimit të infrastrukturës së AI-së.
Edhe investitorja dhe themeluesja e kompanisë së shëndetit mendor MindFriend, Sheikha Maytha Bint Maktoum, mendon se tregu po përballet me probleme më të thella.
«Flluska është pothuajse duke shpërthyer. Po shohim zhvillimet e muajit të fundit, zgjedhjet në SHBA dhe reagimet e tregjeve. Ka edhe probleme të tjera, si vështirësitë që po hasin qendrat e të dhënave me infrastrukturën dhe rrjetet elektrike», deklaron ajo.
Sipas saj, vlerësimet financiare të shumë kompanive të reja të inteligjencës artificiale janë shkëputur nga realiteti i biznesit dhe të ardhurat që ato gjenerojnë.
“Asnjë libër që kam lexuar nuk do të më kishte përgatitur për të parë një ditë një kompani të ndërtuar tërësisht mbi diçka që mund të zhduket nesër”, shprehet ajo.
“Ekziston një produkt, por ai mund të kopjohet. Nuk gjeneron të ardhura, është me humbje, por vlerësohet me 14 miliardë dollarë (12,6 miliardë euro)”.
Megjithatë, për Nvidia-n ajo mendon se çdo tronditje financiare do të ishte e përkohshme, pasi kompania ka ndërtuar gjatë dekadave një infrastrukturë kaq të fuqishme rreth ekosistemit të saj, saqë është e vështirë të imagjinohet një ndikim afatgjatë.
Çfarë pasojash mund të ketë për Kinën?
Në Perëndim, çështja e Jensen Huang është trajtuar kryesisht si një problem i stabilitetit të tregjeve financiare dhe i mundësisë që kriza në Nvidia të përhapet në një industri të inteligjencës artificiale, ku kompanitë janë të lidhura ngushtë përmes investimeve dhe financimeve të ndërsjella.
Në Kinë, diskutimi ka marrë një drejtim tjetër.
Kompanitë kineze kanë shpenzuar prej vitesh përpjekje të konsiderueshme për të ulur varësinë nga çipat amerikanë. Ngjarje të tilla, sipas përfaqësuesve të industrisë, vetëm sa e përforcojnë nevojën për pavarësi teknologjike.
Për kompaninë kineze Xynova, e cila prodhon duar robotike, çështja lidhet kryesisht me sigurinë e furnizimit dhe zhvillimin e kapaciteteve vendase.
«Zakonisht, kompanitë kineze duan të jenë më të pavarura dhe të mos varen nga furnizuesit e huaj. Nëse duhet të mbështetesh te kompanitë amerikane për furnizimet, kjo kthehet në një pengesë të madhe», deklaroi Isabel Zhu nga Xynova për Euronews Next, gjatë konferencës teknologjike Web Summit në Lisbonë.
Ajo përmendi edhe përpjekjet e gjigantit kinez Huawei për zhvillimin e çipave vendas.
“Huawei po përpiqet të zhvillojë çipat e vet, po punon shumë dhe synon të bëhet Nvidia e Kinës”, tha Zhu.
Sipas saj, gara globale për inteligjencën artificiale vetëm sa do t’i shtyjë kompanitë kineze të përshpejtojnë këto përpjekje.
“Kam besim te kompanitë kineze. Nëse vërtet dëshiron të realizosh diçka, atëherë mund t’ia dalësh”, u shpreh ajo.
Nga ana tjetër, Domingues nuk beson se hetimi ndaj Huang do të ndryshojë ndjeshëm rivalitetin teknologjik mes SHBA-së dhe Kinës.
Sipas saj, gara për epërsinë në inteligjencën artificiale ekzistonte shumë përpara kësaj çështjeje. Ajo kujton se Plani i Veprimit për Inteligjencën Artificiale i SHBA-së, i vitit 2025, mban pikërisht titullin «Fitorja në garën e inteligjencës artificiale».
Për këtë arsye, ajo mendon se skandali nuk do të ndryshojë ndjeshëm retorikën dhe qëndrimet e dy vendeve.
“Nëse i konsideron dy vendet si kundërshtare, atëherë fakti që ato spiunojnë njëri-tjetrin është diçka e pritshme. Çdo film për Luftën e Ftohtë ka në qendër një spiun. Nuk mendoj se kjo çështje do të ndryshojë ndjeshëm mënyrën se si paraqitet rivaliteti mes tyre”, përfundon Domingues.