Kompania kineze ByteDance, pronare e TikTok, ka nënshkruar marrëveshje detyruese me investitorë amerikanë dhe ndërkombëtarë për operimin e platformës në Shtetet e Bashkuara, ka bërë të ditur drejtori ekzekutiv i TikTok, Shou Zi Chew, në një memo drejtuar punonjësve.
Sipas marrëveshjes, gjysma e sipërmarrjes së re do të zotërohet nga një grup investitorësh që përfshin kompaninë Oracle, fondin Silver Lake dhe firmën investuese nga Emiratet e Bashkuara Arabe, MGX. Marrëveshja pritet të mbyllet më 22 janar.
Ky zhvillim i jep fund përpjekjeve disa-vjeçare të Uashingtonit për të detyruar ByteDance të shesë operacionet e TikTok në SHBA, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë kombëtare. Marrëveshja është në përputhje me planin e prezantuar në shtator, kur presidenti amerikan Donald Trump shtyu zbatimin e ligjit që do ta ndalonte aplikacionin nëse nuk shitej.
Në memon e brendshme, TikTok deklaroi se marrëveshja do t’u mundësojë “mbi 170 milionë amerikanëve të vazhdojnë të zbulojnë një botë me mundësi të pafundme, si pjesë e një komuniteti global jetik”.
Sipas strukturës së re të pronësisë, ByteDance do të mbajë 19.9% të biznesit, ndërsa Oracle, Silver Lake dhe MGX do të kenë nga 15% secila. Një tjetër 30.1% do të zotërohet nga filiale të investitorëve ekzistues të ByteDance.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar më herët se Oracle, e bashkëthemeluar nga mbështetësi i Trump, Larry Ellison, do të licencojë algoritmin e rekomandimit të TikTok si pjesë e marrëveshjes.
Marrëveshja vjen pas një sërë shtyrjesh. Në prill të vitit 2024, gjatë administratës së presidentit Joe Biden, Kongresi amerikan miratoi një ligj për ndalimin e aplikacionit për arsye sigurie, nëse ai nuk shitej. Ligji duhej të hynte në fuqi më 20 janar 2025, por u shty disa herë nga Trump, ndërsa administrata e tij punonte për një zgjidhje të pranueshme.
Trump ka deklaruar se në shtator kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin kinez Xi Jinping, i cili, sipas tij, kishte dhënë miratimin për marrëveshjen. Megjithatë, e ardhmja e platformës mbeti e paqartë edhe pas takimit ballë për ballë të liderëve në tetor, për shkak të tensioneve të vazhdueshme tregtare dhe politike mes dy vendeve.
“Tiktok është shndërruar në një mjet pazari në marrëdhëniet më të gjera SHBA–Kinë,” tha Alvin Graylin, ligjërues në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT). Sipas tij, lehtësimi i tensioneve të fundit e bën këtë marrëveshje të duket më shumë si një de-përshkallëzim i kontrolluar, ku të dyja palët mund ta paraqesin si fitore në vendin e tyre.
Marrëveshja ka hasur edhe kritika. Senatori demokrat Ron Wyden nga Oregoni tha se ajo nuk bën “asgjë për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve amerikanë”. Sipas kushteve, algoritmi i rekomandimit të TikTok pritet të ritrainohet mbi të dhënat e përdoruesve amerikanë, për të shmangur ndikimet e jashtme.