Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.5 ka goditur brigjet verilindore të Japonisë, duke nxitur autoritetet të lëshojnë paralajmërim për cunami, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë.
Autoritetet kanë paralajmëruar për një cunami deri në tre metra në prefekturën Iwate, si dhe në disa pjesë të Hokkaidos dhe Aomorit. Për zona të tjera në verilindje të vendit është dhënë një njoftim paralajmërues më i ulët, me pritshmëri për valë cunami deri në një metër.
Ndërkohë, Sistemi Amerikan i Paralajmërimit për Cunami ka raportuar se tërmeti në brigjet lindore të ishullit Honshu ka qenë me magnitudë 7.4.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa banorëve në zonat e rrezikuara u është bërë thirrje të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e emergjencës.
“Të gjithë ata që ndodhen në zonat bregdetare apo pranë lumenjve duhet të evakuohen menjëherë drejt zonave më të larta dhe më të sigurta”, thuhet në njoftimin e qeverisë.