Tentohet të censurohet media e lirë në Shqipëri, “Citiziens Channel” po përballet prej dy ditësh me sulm kibernetik

Liria e shtypit në Shqipëri përballet çdo ditë me sfida të mëdha.

Citizies Channel, një media online e njohur për gazetarinë e pavarur dhe investigues po përjeton një sulm të organizuar kibernetik.

Pas fshirjes së qindra postimeve nga platforma “Facebook” ditët e kaluara, ëebi i tyre aktualisht është nën sulm.

Në një njoftim të publikuar sot nga redaksia e tyre, ekipi i Citizens Channel bën të ditur se po punon me shumë përkushtim për të rikthyer materialet e zhdukura padrejtësisht.

“Citizens Channel po përballet me një sulm të organizuar kibernetik. Pas heqjes së qindra postimeve nga “Facebook” dy ditët e shkuara, sot edhe webi jonë ndodhet nën sulm. Ne po punojmë për t’i rikthyer të gjitha materialet e zhdukura padrejtësisht dhe i sigurojmë të gjithë ndjekësit tanë që këto tentativa për të na censuruar dhe intimiduar jo vetëm nuk na trembin, përkundrazi na motivojnë për vijuar punën tonë në shërbim të së vërtetës dhe interesit publik. Ekipi i Citizens Channel i falenderon të gjithë qytetarët dhe partnerët për solidaritetin dhe mbështetjen që kanë treguar. Mbështetja juaj na e shton përgjegjësinë për t’u rikthyer më të fortë. Redaksia e Citizens Channel”, thuhet në njoftim.

Nuk dihet ende se nga kush vjen ky sulm kibernetik por media në fjalë ka denoncuar shpesh raste abuzimesh, tenderash, apo padrejtësish që bëhen çdo ditë në këtë vend.

Sulmi kibernetik ndaj Citizens Channel shënon një nga shembujt më të fundit të sfidave që gazetaria e pavarur dhe investigative po përballet në epokën dixhitale, në një vend ku pavarësia e medias lë për të dëshiruar.

Në vendin tonë jo vetëm që mungon suporti financiar për gazetari të mirë dhe të pavarur por edhe kur ajo arrin t’u mbijetojë sfidave ekonomike, duhet të përballet me sulme të tilla.