Tensionet në veri/ Kryeministri holandez: BE s’duhet ta drejtojë gishtin te fajtori, por të ndihmojë

 Kryeministri holandez, Mark Rutte, dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, u takuan të martën me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

Gjatë një konference për shtyp, Rutte tha se mënyra më e mirë për të shtensionuar situatën është që palët të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se stabiliteti rajonal është çështje shumë e rëndësishme.Gjatë fjalës së tij, Rutte tha se BE nuk dihet të drejtojë gishtin për të gjetur fajtorin mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu ai shtoi se BE duhet të ndihmojë për të gjetur zgjidhjen, në vend që të kërkojë se kush është fajtori.

“Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin tek fajtori, tek Kosova apo Serbia sepse kjo nuk e ndihmon situatën. Ne duam që të jemi ndihmues”, u shpreh ai.

Ndër të tjera shtoi se të dyja palët ankohen se asnjëra as tjetra nuk e zbaton marrëveshjen, por duhet punuar hap pas hapi me të dy vendet.

Kryeministri holandez tha se zgjidhja është aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në shkurt dhe mars.

Atë çfarë po themi është, keni bërë premtime të dyja palët – e di që ka shumë çështje të ndjeshme në këtë marrëdhënie, por besoj që çështja më kryesore dhe më e drejtë është që t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe planit dhe në momentin që BE fillon të gjejë fajtorë dhe të drejtojë gishtin, në momentin që e bëjmë këtë, e humbim pozicionin që të ndihmojmë”, tha Rutte.

Unë jam historian dhe e dua historinë, dhe dëshiroj t’i shoh pse gjërat janë ashtu siç janë. Nganjëherë është shumë e rëndësishme ta shohim edhe të ardhmen”, tha ai ndër tjerash.

Ndërsa kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel iu përgjigj pyetjes me një fjali.

Ju dëshironi përgjigjen që të themi se serbët janë të këqinj, ndërsa në Serbi dëshirojnë të themi se kosovarët janë të këqinj”, tha ai.