Partia Socialiste kërkon ndëshkimin e deputetëve të Partisë Demokratike, pas tensioneve që u krijuan në seancën e kësaj të enjteje.
Grupi parlamentar i PS kërkon përjashtimin për 60 ditë për deputetët: Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, 30 ditë ndaj deputetes Elda Hoti, Gazment Bardhi dhe Sali Berisha; 10 ditë ndaj deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupа, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti.
Sipas grupit parlamentar të PS-së, veprimet e sotme në seancën plenare ishin të mirëorganizuara nga deputetët e PD-së.
“Seanca Plenare e datës sotme ishte një seancë me shumë akte dhune dhe incidente të rënda deri në hedhje të lëndëve piroteknike në sallë dhe të sendeve të tjera të forta kundër Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Siç duket qartë nga pamjet bashkangjitur kësaj kërkese dhe pamje të tjera të bëra publike nga mediat ky skenar dhe këto akte dhune kanë qenë të mirëorganizuara dhe të parapërgatitura më parë”, tha zëdhënsja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjona Ismaili.
Kujtojmë se mes kaosit, këtë të enjte, Endri Shabani u betua si Avokat i Popullit, ndërsa PS kaloi projektligjet në votim pa debat.
Debatet lidhen me zhvillimet e fundit, ku pak ditë më parë, SPAK i bëri kërkesë Kuvendit për heqjen e imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe. Ndërkohë ditën e nesërme pritet që të mblidhet Këshilli i Mandateve ku do të shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme.