Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje kjo e ndodhur në nëntor të vitit 2023.
Murseli, bashkëshorti i Liridonës, akuzohet se është porositësi i krimit të rëndë, ndërsa vrasja u krye nga dy të akuzuarit e tjerë Granit Palava e Kushtrim Kokalla.
Prokuroria thotë se provat kanë vërtetuar se Murseli, për shkak të raporteve bashkëshortore dhe fitimit financiar, ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes, ngjarje e cila ndodhi në sy të dy fëmijëve të tyre të mitur.
Prokurorja Javorka Perlinçeviç theksoi se, gjatë shqyrtimit gjyqësor, janë paraqitur tri versione të ndryshme të ngjarjes nga të akuzuarit, të cilat, sipas saj, paraqesin përpjekje për shmangie të përgjegjësisë penale.
“Gjatë analizimit të telefonit të Kushtrimit dhe Granitit se edhe Naimi me Granitin kanë qenë në lidhje çdo ditë, prandaj pas marrëveshjes në mes të Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, vendoset qe Liridona të vritet me datë 29.11.2023, gjë që e vërteton edhe porosia të cilën Naim Murseli ia ka dërguar Granit Plavës, një ditë para vrasjes, ia ka dërguar me fjalët ‘Kjo përfundon nesër a të ka tregu Kuça (nofka e Kushtrimit)’, që do të thotë që marrëveshjet i kanë bërë Naimi dhe Kushtrimi, ndërsa Naimi të akuzuarit Granit Plava i ka premtuar që do t’i jep dëmshpërblim 30 mijë euro, pas vrasjes të cilën nuk ka arritur ta paguajë, sepse të akuzuarit janë arrestuar dy ditë pas vrasjes”, tha Prokurorja Javorka Perlinçeviç.