Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar disa ndryshime në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë jashtë vendit, duke liruar nga detyra disa ambasadorë dhe duke emëruar përfaqësues të rinj.
Në kuadër të këtyre vendimeve, janë liruar nga detyra Riza Poda, Bardhyl Canaj, Sami Shiba, Vasilika Hysi dhe Albana Dautllari, të cilët shërbenin në disa prej përfaqësive kryesore diplomatike të vendit në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, Presidenti ka dekretuar emërimet e reja në trupën diplomatike.
Gazmend Barbullushi është emëruar ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, me rezidencë në Bruksel, si dhe njëkohësisht ambasador në Dukatin e Madh të Luksemburgut.
Albana Dautllari është emëruar ambasadore e Shqipërisë në Misionin pranë Bashkimit Evropian, me rezidencë në Bruksel.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, dekretoi sot lirimin nga detyra të:
Z. Riza Poda, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Kinës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Popullore të Bangladeshit, në Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në Republikën Socialiste të Vietnamit, në Mongoli dhe në Mbretërinë e Tajlandës, jo rezident;
Z. Bardhyl Canaj, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Serbisë, rezident;
Z. Sami Shiba, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Egjiptit, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Arabe të Sirisë, në Mbretërinë Hashemite të Jordanisë, Shtetin e Libisë, Shtetin e Palestinës, Republikën Libaneze dhe në Republikën e Sudanit, jo rezident;
Znj. Vasilika Hysi, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të Tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident;
Znj. Albana Dautllari, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës dekretoi emërimin e:
Z. Gazmend Barbullushi në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, rezident, si dhe Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Dukatin e Madh të Luksemburgut, jo rezident;
Znj. Albana Dautllari në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Republikës së Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, rezident.