Tensione të forta brenda Kuvendit, ndërpritet për herë të tretë seanca plenare, Bardhi akuzon: SHISH i shërben sot krimit të organizuar

Vijon me debate seanca plenare teksa situata përshkallëzoi pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës për mocion me debat pas reportazhit të emisionit “Report” në RAI3, në lidhje me Shqipërinë.

Kjo ka detyruar ligjvënësit demokratë që të bllokojnë foltoren ndërsa kryeparlamentarja Lindita Nikolla ndërpreu për herë të tretë seancën.

Ndërkohë më herët Bardhi hodhi akuza të forta duke thënë se SHISH i sherben sot krimit të organizuar dhe tenton të furnizojë bandat me informacione. Sipas Bardhit, përfaqësuesi i krimit të organizuar në Shqipëri është kryeministri Rama.

“Ju e thoni në kafe por nuk keni guxim ta thoni këtu. Edhe ju e dini që Rama ka caktuar një përfaqësues për të mbajtur marrëdhëniet mes tij dhe krimit të organizuar. Nuk e dini ju këtë?  Nuk jeni ju që pëshpërisni si Ahmetaj që Ergys Agasi është koordinatori i posaçëm i Ramës me krimin e organizuar e nisi ta testonte në Durrës, e çoi në Shkodër, Elbasan, Vlorë dhe të gjithë Shqipërinë dhe pasi krijoi gjithë lidhjet me krimin e organizuar e di çfarë bëri Edi Rama njeriun e Ergys Agasit e emëroi drejtuesin e SHISH dhe kjo sot është një organizatë që i shërben krimit të organizuar, që në vend të fuqizojë me informacione parandaluese SPAK-un tenton të marrë informacione brenda SPAK-ut, që të furnizojë me informacione krimin e organizuar” tha Bardhi.