Është mbajtur sot në Gjykatën e Elbasanit seanca ndaj 19 të arrestuarve në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”.
Mësohet se për 18 prej tyre gjykata caktoi masën e “arrestit në burg”, ndërsa njëri u la në masën e “arrestit të shtëpisë”.
Mes të arrestuarve në Elbasan ishte edhe anëtari i Këshillit Bashkiak Franko Hakilja, pjesë e koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
Gjatë këtij megaoperacioni që u shtri në të gjithë vendin u arrestuan 273 persona dhe sekuestruan 560 kg kanabis, 7,5 kg kokaine, heroine,10 armë zjarri,16 armë gjahu, 3 armë sportive, 9 armë të ftohta, municion luftarak, 2 granata dore, 1 jelek antiplumb, 184 celularë, 40 makina, 11 peshore elektronike dhe një sasi e madhe parash.
Ndërkohë në fazën e parë të “Tempullit” u arrestuan rreth 300 persona ndërsa u goditën 24 grupe kriminale.