Nuk ka zgjatur më shumë se 20 minuta seanca e sotme plenare, e cila ishte parashikuar që të zgjaste të paktën 24 orë.
Seanca nisi me tensione ku deputetët e Partisë Demokratike bllokuan Foltoren duke penguar kryeministrin Edi Rama që të prezantonte programin e qeverisë së re. Pas bllokimit të Foltores, Peleshi çoi në votim programin qeverisës ku mori 82 vota pro. Po ashtu u votëbesua qeveria e re.
Edhe pse kjo seancë ishte parashikuar që të zgjaste deri të premten, në një akt të paprecedent, Niko Peleshi vendosi që të mbyllte seancën para kohe.
Këtë të enjte, qytetarët shqiptarë do të mësonin rreth programit të qeverisë Rama 4, por duket se Peleshi u justifikua me aksionin e opozitës për të mbyllur seancën.
Me urdhër të Ramës, Niko Peleshi vendosi për të mbyllur seancën, e cila është ndër më të rëndësishmet, ku shqiptarët do të mësonin se si do të qeverisen në katër vitet e ardhshme.
Protesta e opozitës ishte ajo që po priste Rama për t’i dhënë fund sa më shpejt seancës që ishte parashikuar maratonë, pasi që në nisje të fjalës së tij i paralajmëroi deputetët kundërshtarë që do të kalonte direkt në votim nëse nuk mbanin vendin e tyre
Kujtojmë se një ditë më parë, opozita kërkoi që të kishte më shumë kohë në Kuvend, por kërksa nuk u pranua nga Konferenca e Kryetareve dhe u vendos që çdo deputet të kishte vetëm 10 minuta kohë.
Ajo se çfarë panë sot qytetarët shqiptarë ishte një teatër parlamentar, që mesa duket do ta shohim shpesh edhe në këtë legjislaturë të re.