Eurodeputetja italiane Cristina Guarda ka bërë të ditur se brenda pak ditësh do të udhëtojë drejt Tiranës, ku pritet t’u bashkohet protestave qytetare që prej javësh po zhvillohen në kryeqytet kundër qeverisë së Edi Ramës.
Në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Guarda e cilëson protestën si një shembull të rëndësishëm për vetë Europën. Sipas saj, protestuesit shqiptarë po kërkojnë më shumë demokraci, transparencë dhe respektim të të drejtave qytetare.
Eurodeputetja thekson se, falë një amendamenti të propozuar nga grupi i “Të Gjelbërve” në Parlamentin Europian, është dërguar një mesazh i qartë ndaj qeverisë shqiptare se projektet për resorte luksoze nuk mund të avancojnë pa respektuar standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit dhe procedurat ligjore.
Guarda njofton gjithashtu se do të vizitojë Shqipërinë së bashku me një delegacion të grupit “Të Gjelbërit” në Parlamentin Europian, ku do të zhvillojnë takime me përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe qytetarëve të angazhuar në protestë.
“Pas pak ditësh do të jem ne Shqipëri, në shesh me ju. Falë dhe amendamentit të propozuar nga ne ” Të Gjelbërit”, Evropa i thotë Edi Ramës që nuk mundet të autorizojë Rezort extra lluks pa vlerësime ambientale dhe ligje të cilat respektojnë standartet Evropiane. Me delegacionin e “Të gjelbërve” të parlamentit Evropian do të vijmë për të takuar “Shoqërinë Civile”, “Ong” dhe “Qytetarët” tashmë ne ditën e 24 të protestës, jo të dhunshme, më te cilën po na mësoni shumë edhe neve. Është një mobilizim i pa precedentë i cili kërkon më shumë demokraci, transparencë dhe të drejta. Dua të jem aty me ju. Evropa duhet t’ju dëgjoje. SHIHEMI NË SHESH”, shprehet ajo.