Të shtënat në darkën e Trump me gazetarët, presidenti amerikan: Jetojmë në një botë të çmendur

Të shtënat gjatë darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë duket se janë tentativa e tretë për atentat ndaj Donald Trump, pas incidenteve në Butler, Pennsylvania në korrik 2024 dhe në klubin e tij të golfit në Florida në shtator të po atij viti.

Por në një intervistë për “60 Minutes” dje, Trump tha: “Nuk isha i shqetësuar. E kuptoj jetën. Jetojmë në një botë të çmendur.”

I pyetur për rrjedhën e ngjarjeve – ku JD Vance u nxor i pari nga salla – Trump tha se “nuk po ua bënte të lehtë” agjentëve të Shërbimit Sekret që ta evakuonin.

“Doja të shihja çfarë po ndodhte… doja të kuptoja situatën. Dhe në atë moment filluam të kuptonim se ndoshta ishte një problem serioz.”

I pyetur për momentin kur iu kërkua të ulej në tokë ndërsa po largohej nga salla, Trump u përgjigj: “Fillova të ecja me ta [ekipin e sigurisë]. U ktheva, po ecja, dhe ata më thanë: ‘Ju lutem shtrihuni. Ju lutem shtrihuni në tokë.’

“Kështu që u shtriva dhe edhe zonja e parë u shtri.”

Partneri i BBC-së, CBS News, ka parë një dokument të shkruar që besohet të jetë i lidhur me të dyshuarin, Cole Allen, ku thuhet se ai donte të synonte anëtarët e administratës Trump “nga më të lartit në hierarki deri tek më të ultët”.

Gjatë intervistës në “60 Minutes”, Trump u irritua me gazetaren Norah O’Donnell pasi ajo e pyeti për përmbajtjen e raportuar të këtyre shkrimeve, të cilat përfshijnë një referencë për një “pedofil, përdhunues dhe tradhtar”.

Ai e quajti O’Donnell “turp” që i bëri atë pyetje, duke shtuar se “duhet të të vijë turp që lexon atë, sepse unë nuk jam asnjë nga këto gjëra.”

Cole Tomas Allen, një mësues 31-vjeçar nga Torrance Kaliforni, është identifikuar si personi i arrestuar për të shtënat gjatë ‘Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë’, ku merrte pjesë edhe Presidenti i SHBA-së Donald Trump. 

Allen është tani në paraburgim. Ai do të paraqitet në gjykatë për herë të parë të hënën, më 27 prill.