Sot nisi gjyqi në themel në GJKKO, Ilir Meta reagon nga qelia: Jam i pamposhtur dhe superior përballë burracakëve

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi këtë të hënë u mbajt seanca e parë në themel për dosjen e tij, edhe pse ajo u shty për në datë 11 Maj

Në një postim në rrjete sociale, Meta e nis reagimin e tij duke thënë se nuk çuditet nga drejtësia me regji, teksa shton se loja e zvarritjeve të seancave me sebepe nga më të ndryshmet “vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon”.

Meta hedh akuza në drejtim të prokurorëve, që sipas tij i shërbejnë “bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe Kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar”.

Sipas Metës, drejtësia soroiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, në kohën kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.

Reagimi i Metës:

Asnjë çudi nga Drejtësia me Regji.

Edhe kur Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës, funksionarët publikë gjykoheshin pranë avokatëve të tyre dhe çdo seancë gjykimi transmetohej live.

Por në drejtësinë e George Sorosit, të realizuar me angazhimin e ditur të Charles McGonigal dhe plot të tjerëve si ai, në vend që të respektohet Kushtetuta, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe thirrja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, shndërrohet në normë standardi i gjykimit të një terroristi në Francë dhe jo standardi i gjykimit të Presidentit të Francës, Sarkozi.

Madje drejtësia sorosiste nuk respekton as standardin e gjykimit të ish-Kryeministrit Nano dhe ish-funksionarëve të regjimit komunist, kur e theksoj, Shqipëria nuk ishte anëtare e Këshillit të Europës.

Loja e zvarritjeve të seancave, me sebepe nga më të ndryshmet, vazhdon nën dirigjimin e prokurorëve, të cilët dihet se kush i komandon.

Sidoqoftë, ka një “koherencë” të plotë, nga standardet e rrëmbimit tim më 21 tetor 2024 e deri te standardet e sotme të gjykimit, sepse për këtë regjim kukullash, të jesh patriot ne fakt do të thotë të jesh terrorist.

Jam krenar për patriotizmin tim dhe kjo më bën të pamposhtur dhe superior përballë burracakëve, që i shërbejnë bandës ndërkombëtare të George Sorosit dhe Kuislingut të tij në Tiranë, që ka nxjerrë në shitje çdo interes kombëtar.