Shtyhet gjyqi për Metën, avokati i ish-presidentit “shpërthen” jashtë GJKKO: Edhe Nexhmije Hoxha e Ramiz Alia janë trajtuar me më shumë dinjitet

Është shtyrë për në datën 11 Maj seanca në GJKKO ndaj ish-presidentit Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe të pandehurve të tjerë.

Mësohet se shkak për shtyrjen e seancës është bërë kërkesa e avokates të Fatime Kryemadhit, pasi nuk kishte prokurë dhe tagrat për të kërkuar gjykim të shkurtuar.

Pas përfundimit të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani u ndal në një komunikim për mediat, i cili hodhi akuza në drejtim të GJKKO-së sa i takon procesit të ish-presidentit.

Madje sipas tij, edhe Nexhmie Hoxha dhe Ramiz Alia janë trajtuar me më shumë dinjitet sesa Ilir Meta.

“Vetëm ISIS i poshtëronte kështu njerëzit. Është për turpin e të gjithëve, për turpin e drejtësisë së re ky lloj trajtimi. Unë e di që ju do ta rrëzoni, por dua ta argumentoni se si. Unë nuk bisedoj dot me presidentin për sa kohë ndahem me xham. Ne nuk jemi të barabartë kështu. Siç e kam unë të bazuar kërkesën, e dua edhe vendimin tuaj të bazuar. Në salla si kjo janë gjykuar Nexhmie Hoxha dhe Ramiz Alia si kriminelë. Edhe prapë nuk kanë qenë kështu. Janë trajtuar me më shumë dinjitet”, tha Cakrani.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie. Të njëjtat akuza rendojnë edhe ndaj ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Ndërkohë Meta ka kërkuar që seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt për publikun, me qëllim garantimin e transparencës së plotë.